26 prilli shënon Ditën Botërore të Pronësisë Intelektuale, një ngjarje vjetore që festohet në mbarë botën me aktivitete që synojnë ndërgjegjësimin dhe promovimin e të drejtave të pronësisë intelektuale.
Kjo ditë organizohet nën kujdesin e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (OBPI/WIPO) dhe për herë të parë është shënuar në vitin 2000. Që nga ajo kohë, vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) e kremtojnë këtë ditë çdo vit më 26 prill.
Pronësia intelektuale përfshin të drejtat mbi krijimtarinë mendore si: Pronësinë industriale (patenta, markat tregtare, dizajni industrial); Të drejtat e autorit (veprat letrare, artistike, muzikore, teknologjike etj.)
Në Kosovë, pronësia intelektuale është e mbrojtur me ligj, duke ofruar mbështetje ligjore për krijuesit, inovatorët dhe bizneset.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpërndarë video vetëdijesuese për pronësinë intelektuale.
“Njohja dhe respektimi i së Drejtës së Pronësisë Intelektuale fuqizon individët, bizneset, industritë së bashku me krijimet e tyre inovative dhe veprimtaritë e tyre kulturore, kështu duke kontribuuar në zhvillimin kulturor dhe ekonomik të vendit.”
“Andaj, si krijues, sigurohu ta mbrosh të Drejtën tënde, ndërsa si shijues i këtyre krijimeve dhe aktiviteteve kulturore, sigurohu ta vlerësosh dhe respektosh këtë të Drejtë,” thuhet në një postim të MKRS-së./Katror.info