Kompania SpaceX nisi anijen e tij kozmike Dragon këtë javë duke përdorur një raketë Falcon 9, si dhe disa satelitë CubeSat, njëri prej të cilëve është veçanërisht interesant.
Ishte një mision rifurnizimi në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës (ISS) i quajtur CRS-28, të cilin SpaceX e kreu për agjencinë amerikane të hapësirës NASA. Megjithatë, gjatë misionit, disa satelitë CubeSat u dërguan në orbitën e ulët të Tokës dhe njëri prej tyre, i quajtur Moonlighter, do të përdoret për hakerime eksperimentale, shkruan Katror.info.
Sateliti i vogël në fakt do të jetë në qendër të një konkursi që do të mbahet gjatë konferencës vjetore Def Con në Las Vegas më vonë këtë vit, me ekipe që konkurrojnë për të depërtuar në softuerin e sistemit orbital.
Moonlighter u krijua për të përmirësuar sigurinë kibernetike në hapësirë, dhe për tre vitet e fundit Forca Ajrore e SHBA-së ka mbajtur Hack-a-Sat-in e saj në Def Con. Ky konkurs synon të ndihmojë ekspertët të përmirësojnë sigurinë kibernetike në hapësirë në një kohë të shqetësimeve në rritje për cenueshmërinë e sistemeve orbitale.

Deri më tani, konkursi Hack-A-Sat ka qenë gjithmonë një simulim, por në Def Con të këtij viti, ekipet më në fund do të përpiqen të depërtojnë në sistemin e një satelit të vërtetë, pra në atë të Moonlighter. Projekti u zhvillua si pjesë e një bashkëpunimi midis Korporatës Aerospace, Laboratorit të Kërkimit të Forcave Ajrore dhe Komandës së Sistemeve Hapësinore të SHBA-së.
Moonlighter peshon rreth 5 kilogramë dhe është i vetmi satelit në hapësirë i destinuar për hakerim. Ai do të përdoret për të kryer operacione kibernetike mbrojtëse, për të zhvilluar taktika, teknika dhe procedura kibernetike, si dhe për verifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve. Tre skuadrat e para do të shpërblehen me çmime të holla prej $50,000, $30,000 dhe $20,000.
Siguria kibernetike është bërë një shqetësim në rritje në operacionet hapësinore vitet e fundit, pasi numri i satelitëve që ofrojnë shërbime interneti ose janë të lidhur me internetin po rritet. /Katror.info