Një studim i ri nga University College London (UCL) tregon se lënia e duhanit në moshën e mesme, madje edhe më vonë, mund të ngadalësojë rënien e aftësive njohëse që vjen me plakjen.
Studiuesit analizuan të dhëna nga 9,436 persona mbi moshën 40 vjeç në 12 vende të ndryshme, duke krahasuar rezultatet e testeve njohëse midis atyre që hoqën dorë nga duhani dhe atyre që vazhduan ta konsumojnë.
Rezultatet treguan se rënia e pikëve në testet njohëse ishte ndjeshëm më e vogël te ata që kishin lënë duhanin. Sa i përket rrjedhshmërisë verbale, ritmi i rënies u përgjysmua, ndërsa për kujtesën pati një ngadalësim prej rreth 20%, shkruan Positive News, përcjell Katror.info.
Meqë rënia më e ngadaltë njohëse lidhet me një rrezik më të ulët për zhvillimin e demencës, këto gjetje mbështesin idenë se lënia e duhanit mund të jetë një strategji parandaluese ndaj kësaj sëmundjeje. Megjithatë, kërkohen më shumë kërkime për ta konfirmuar këtë lidhje.
“Ne tashmë e dimë se lënia e duhanit, edhe në moshë të shtyrë, shpesh shoqërohet me përmirësime në shëndetin fizik dhe mirëqenie. Tani duket se edhe për shëndetin tonë mendor, nuk është kurrë vonë për të lënë duhanin,” u shpreh autorja kryesore e studimit, Dr. Mikaela Bloomberg./Katror.info