Edon Zhegrova i është gëzuar tej mase golit të epërsisë së Lillet kundër Pau me plot të drejtë, pasi ai ishte arkitekti i aksionit që çoi deri në autogolin që shënoi Kouassi.
Pak minuta para fundit të pjesës së parë, Lille gjeti golin e epërsisë kundër Pau, në ndeshjen e vlefshme për 1/16 e finales të Kupës së Francës.
Në minutën e 37-të ishte Edon Zhegrova ai që falë një driblimi të bukur nga pozita anësore, krijoi superioritet numerik dhe asistoi për Cabella. Mirëpo, mbrojtësi kundërshtar, Kouassi, nga tentativa për ta larguar topin, e shpiu atë në rrjetë.
Gjatë ditës së djeshme lëvdata për përfaqësuesin kosovar pati edhe vetë trajneri Fonseca. Ai u shpreh i lumtur me atë çfarë dëshmoi në ndeshjen e fundit kur u inkuadrua, duke e përshëndetur edhe ndryshimin që ka bërë në mënyrën e tij të luajturit.
“Edoni ka luajtur shumë në ndeshjen e fundit. Sot, është një lojtar më bashkëpunues. Punon më shumë për skuadrën”, tha ai.
Fonseca mendon që 23-vjeçari kosovar duhet të vazhdojë akoma që të përmirësohet. Margjinë përmirësimi tek ai sheh në fazën mbrojtëse.
“Duhet akoma ta përmirësojë fazën mbrojtëse, por jam shumë i lumtur me mënyrën se si luan Edoni”, u shpreh ai.
Vetë Zhegrova dje në një intervistë që dha për gazetën lokale “Le 11 Lillois”, ai komentoi rrjedhën e këtij sezoni, duke treguar edhe se është i lumtur të jetë pjesë e një klubi të tillë. Megjithatë, ai tha se fizikisht i nevojitet që të bëjë progres, kurse mos të zhbllokuarit akoma sa i përket golave të shënimit në këtë sezon e vlerësoi si një mëkat.
“Punoj fort çdo ditë. Kemi një trajner shumë të mirë. Jemi duke u përmirësuar në shumë gjëra. Posaçërisht në aspektin mbrojtës. Më duhet akoma që të përmirësohem vetë fizikisht. Çdo lojtar përmirësohet ditë pas dite”, tha ai.
Kujtojmë se sulmuesi prishtinas akoma nuk ka gjetur rrugën e golit në këtë sezon. Këtë gjë e quajti një mëkat të madh, sepse në shumë raste i është afruar shënimit, por është treguar i pafat.