Festivali Sunny Hill përmes një njoftimi ka bërë të ditur se edicioni i ardhshëm do të mbahet në gusht të 2024-tës pasi që janë në përgatitje të lokacionit që do jetë i përhershëm.
Në njoftim theksohet se edicioni do mbahet në javën e parë të gushtit në vitin 2024.
“Këtë vit, po bëjmë gati shtëpinë tonë të re dhe të përhershme. Një që u mundëson pjesëmarrësve tanë të festivalit të marrin asgjë më pak se më të mirën që presin dhe meritojnë. Ndjekësit tanë të festivalit meritojnë më të mirën absolute. Në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe vendin e festivalit dhe infrastrukturën e tij”- thuhet në njoftim.Tutje, theksohet se nxitimi i këtij procesi do komprometonte cilësinë e asaj që përfaqëson ky festival.
“Ne besojmë se nxitimi i procesit do të komprometonte cilësinë dhe thelbin e asaj që përfaqëson Sunny Hill Festival. Si vetë fansa të përkushtuar, besojmë fuqimisht në ofrimin e përvojës së jashtëzakonshme. Prandaj, kemi marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë festivalin e sivjetmë”, bëhet tutje e ditur nga festivali.
Në njoftim më tej thuhet se festivali renditet si një nga 5 më të mirët në Evropë.“Shënoni kalendarët për një përvojë të paharrueshme të Sunny Hill Festival në fundjavën e parë të gushtit 2024. Tani, renditemi si një nga 5 festivalet më të mira për të ndjekur në Evropë”, bëhet e ditur në njoftim.
Prej vitit 2016, Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, organizojnë në Kosovë një nga festivalet më madhështorë, “Sunny Hill Festival”.
Ndër vite ky koncert ka mbledhur emrat më të njohur të muzikës, ndër ta artisten me famë botërore, siç ishte edhe Miley Cyrus. /Katror.info