Për herë të katërt, fëmijët e shtruar në Klinikën e Pediatrisë patën mundësinë të shohin super-heronjtë e tyre të preferuar nga dritaret e dhomave të spitalit. Ky aktivitet i veçantë u organizua nga organizata humanitare “Care for Kosovo Kids” në bashkëpunim me “Klubin Alpin Prishtina”.
Nisma, e quajtur “Super-heronjtë në Pediatri”, synon të krijojë një atmosferë pozitive dhe të ndihmojë në përmirësimin e humorit të fëmijëve që përballen me sfida shëndetësore. Vullnetarët e klubit alpin, të veshur si super-heronj, performuan nga jashtë ndërtesës, nëpër dritare, si dhe në oborrin e Klinikës së Pediatrisë, duke sjellë buzëqeshje dhe entuziazëm te pacientët e vegjël.

Ky aktivitet ka marrë vlerësime të shumta nga stafi mjekësor dhe prindërit, të cilët e cilësojnë si një nismë të jashtëzakonshme për të përmirësuar përvojën e qëndrimit të fëmijëve në spital.
“Care for Kosovo Kids” vazhdimisht angazhohet në projekte që mbështesin fëmijët me sëmundje të rënda, ndërsa Klubi Alpin Prishtina është i njohur për aktivitetet e tij humanitare dhe sportive.
Përmes iniciativave të tilla, këto organizata jo vetëm që ndihmojnë fëmijët të ndihen më mirë, por edhe rrisin ndërgjegjësimin për rëndësinë e mbështetjes emocionale në procesin e trajtimit shëndetësor./Katror.info
