Fundjava sjell ndeshje interesante në Superligën e Kosovës në basketboll, ku zhvillohet java e shtatë, që shënon fundin e rrethit të parë të garave të elitës.
Derbi i kësaj xhiro do të zhvillohet ndërmjet rivalëve të vjetër të basketbollit të Kosovës, Sigal Prishtinës dhe Trepçës. Dy skuadrat me traditë në basketbollin e Kosovës gjithmonë kanë dhuruar spektakël dhe kështu pritet të dielën në kryeqytet.
Bardhekaltrit kanë katër fitore e dy humbje, ndërsa ‘Xehetarët’ tri fitore e dy humbje, duke e bërë këtë sfidë edhe më interesante, ashtu siç kanë qenë gjithmonë përballjet ndërmjet këtyre dy skuadrave.
Java e shtatë do të hapet me duelin interesant ndërmjet Rahoveci 029 dhe Golden Eagle Ylli. ‘Vreshtarët’ kanë dy fitore e katër humbje, ndërsa therandasit nuk e kanë nisur mirë kampionatin me një fitore e pesë humbje.
Duel interesant pritet ndërmjet GO+ Peja dhe Vëllaznimit. Verdhezinjtë e kanë nisur mirë këtë edicion, me pesë fitore e një humbje, ndërsa kuqezinjtë me një fitore e pesë humbje, duke bërë që takimi të jetë shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat.
Java e shtatë do të mbyllet me sfidën ndërmjet Borës dhe Bashkimit. Pas katër humbjeve, prishtinasit regjistruan fitoren e parë, duke mundur Yllin, kurse prizrenasit janë skuadra e vetme pa humbje në elitë me gjashtë fitore në gjashtë ndeshje të zhvilluara.
Superliga-Java 7
Të shtunën takohen:
17:00 Rahoveci 029-Golden Eagle Ylli
19:30 GO+ Peja-Vëllaznimi
Të dielën takohen:
17:00 Sigal Prishtina-Trepça
20:15 Bora-Bashkimi
/Katror.info
















