Artisti i njohur shqiptar me renome ndërkombëtare, Petrit Halilaj, do të hapë ekspozitën e tij më të re “Syrigana” në zemër të Berlinit, në muajin shtator. Kjo ekspozitë do të prezantohet në Hamburger Bahnhof – Nationalgalerie der Gegenwart, një nga institucionet më të rëndësishme të artit bashkëkohor në Gjermani dhe Evropë, shkruan Katror.info.
Lajmin e ka bërë publik ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka theksuar rëndësinë e këtij prezantimi për promovimin e kulturës dhe identitetit kosovar në një skenë të tillë ndërkombëtare.
Sipas Ajetit, përmes “Syrigana”, Halilaj do të sjellë në një formë të veçantë artistike elemente dhe rrëfime unike nga kultura dhe trashëgimia e Runikut të Kosovës, duke ndërlidhur historinë personale me universalen dhe duke krijuar një urë mes të kaluarës, kujtesës dhe të tashmes.
Petrit Halilaj është i njohur për qasjen e tij të ndjeshme dhe të fuqishme në trajtimin e temave të identitetit, historisë dhe përkatësisë, dhe pjesëmarrja e tij në këtë galeri të njohur vlerësohet si një sukses i madh për artin bashkëkohor shqiptar në përgjithësi.
Ekspozita pritet të zgjojë interes të gjerë në rrethet artistike evropiane dhe të jetë një tjetër dëshmi e zërit unik që Halilaj sjell në artin bashkëkohor global./Katror.info