Një studim i ri britanik tregon se të rriturit me alergji të rëndë nga kikirikët mund të mësohen t’i tolerojnë ato përmes dozave të vogla ditore. Në fund të studimit, 67% e pjesëmarrësve arritën të hanin pesë kikirikë pa pasur reagim alergjik.
Ky trajtim, i njohur si imunoterapi orale, është përdorur më parë te fëmijët, por ky është studimi i parë që dëshmon efektin edhe te të rriturit. Fillimisht, pjesëmarrësit morën sasi shumë të vogla mielli kikiriku të përzier me ushqim, nën mbikëqyrje mjekësore. Me kalimin e kohës, dozat u rritën gradualisht deri në katër kikirikë në ditë, shkruan Good News Network, përcjell Katror.info.
“Mënyra e vetme për të menaxhuar alergjinë nga kikirikët është shmangia totale,” tha udhëheqësi i studimit, Profesor Stephen Till nga King’s College London. “Frika e vazhdueshme nga një reagim kërcënues për jetën është një barrë e madhe për këta pacientë.”
Studimi është kryer nga një ekip kërkimor në King’s College London dhe Guy’s and St Thomas’ NHS Foundation Trust në Mbretërinë e Bashkuar. Studimi është udhëhequr nga Profesor Stephen Till, profesor i alergjisë, dhe është publikuar në revistën shkencore Allergy.
Pas disa muajsh, pjesëmarrësit nuk reagonin më ndaj kikirikëve dhe mund të vazhdonin t’i konsumonin çdo ditë për të ruajtur imunitetin. Sipas studiuesve, kjo terapi mund të jetë një ndihmë e madhe për personat që përballen çdo ditë me frikën e ndonjë reagimi fatal.
Njëri nga pjesëmarrësit tha: “E kam pasur këtë alergji gjithë jetën. Tani ha katër kikirikë çdo mëngjes dhe nuk kam më frikë nga ndonjë aksident i mundshëm.”
Ky trajtim shihet si një hap i rëndësishëm drejt një jete më të sigurt për personat me këtë alergji. Studiuesit planifikojnë prova më të mëdha për të parë nëse efektet zgjasin në kohë./Katror.info