Më 17 dhe 18 mars 2025, në ora 20:00, Amfiteatri i Teatrit Kombëtar të Kosovës do të mirëpresë premierën mysafire të shfaqjes “Të turpëruarit”, një bashkëpunim i artistëve teatrorë nga Prishtina dhe Tirana, shkruan Katror.info.
Me regji të Altin Bashës, kjo shfaqje trajton çështje të identitetit, kulturës dhe konflikteve ndërkulturore në shoqërinë moderne. Përmes dilemave të personazheve, ajo sfidon stereotipet, diskriminimin dhe paragjykimet, duke nxjerrë në pah sfidat e një shoqërie të diversifikuar dhe rëndësinë e dialogut ndërkulturor.
Në këtë produksion teatror do të luajnë aktorët e njohur: Adrian Morina, Blerta Syla Surroi, Kushtrim Sheremeti, Aurita Agushi dhe Endrit Ahmetaj.
Numri i ulëseve është i limituar, prandaj biletat mund të rezervohen në numrin 044 430 693 ose të blihen fizikisht në biletoren e Teatrit Kombëtar të Kosovës, pranë Amfiteatrit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë./Katror.info