Ndërmarrja Publike “Termokos” ka njoftuar se ka përfunduar të gjitha përgatitjet për fillimin e sezonit të ngrohjes, i cili pritet të nisë shumë shpejt.
Zëdhënësja e Termokosit, Afërdita Uka, tha se sistemi i ngrohjes është në gjendje të plotë gatishmërie dhe se furnizimi me energji termike do të nisë sapo të sigurohen sasitë e para nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
“Përgatitjet janë bërë me kohë. Ne jemi të gatshëm për të filluar sezonin ngrohës. I gjithë sistemi është gati për të pritur energjinë termike që pritet të fillojmë ta marrim shumë shpejt nga KEK-u”, deklaroi Uka në një prononcim për Klan Kosovën.
Ajo po ashtu bëri të ditur se, për shkak të uljes së temperaturave në ditët e para të tetorit, janë ndërmarrë masa urgjente për furnizimin me ngrohje të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
“Që nga e premtja kemi filluar furnizimin me ngrohje për klinikat e QKUK-së. Kemi intervenuar urgjentisht te ngrohtorja e spitalit dhe kemi mobilizuar ekipet tona. Për momentin, prodhimi i energjisë ngrohëse për klinikat bëhet nëpërmjet ngrohtores që përdor naftën si lëndë djegëse,” shtoi Uka-Fejzullahu.
Nga Termokos bëhet e ditur se me fillimin e furnizimit të rregullt nga KEK-u, ngrohja do të shtrihet gradualisht në të gjitha lagjet e Prishtinës./Katror.info