Ajo nuk ishte ndër emrat më të dëgjuar në rrafshin e letërsisë në vitin 2021 dhe ndoshta shumëkush më shumë e njihte për kontributin akademik në spektrin e filozofisë, përmes përzierjes atipike që ajo bënte mes Kantit dhe Marx-it në auditorët e London School of Economics, shkruan Albanian Post.
Por, në vitin 2021, të gjithë i drejtuan dylbitë për nga kujtimet e saj, të derdhura në letër nën titullin Të Lirë, duke u përkthyer në dhjetëra gjuhë të huaja dhe duke e vulosur edhe si një zbulim e talent letrar Lea Ypin.
Katër vjet në ndryshim, libri i saj i ri i pritshëm, “Indignity”: A Double Investigation (Poshtërimi: Një Hetim i Dyfishtë), është shpalosur si ndër më të shumëpriturit e vitit 2025.
Këtë e konfirmojnë edhe prestigjiozet britanike The Guardian dhe Financial Times, për të cilët Ypi është siç quhet në anglisht “a must” (domosdoshmëri).
“Në librin e saj të kujtimeve të vitit 2021, ‘Të Lirë’, Ypi tregoi historinë e rritjes komuniste në Shqipërinë e viteve ’80, vetëm që bota e saj u kthye përmbys ndërsa regjimi ra. Poshtërimi cilësohet si një “prequel” (pararendje), duke gjurmuar historinë e gjyshes së saj Leman, e lindur në ditët e fundit të perandorisë osmane”.
Kështu shkruhet në Guardian, duke bërë me dije se është e pritshme që romani i ri i Ypit të publikohet rreth muajit shtator, duke e vendosur mes emrash të tjerë “të shumëpriturish”.
Edhe për Financial Times, libri i ri i Ypit pritet të jetë shënjues në gjysmën e dytë të vitit 2025.
Në korrik 2024, Albanian Post bëri me dije për publikun shqiptar për të parën herë se Ypi do të vinte me një krijim të ri në repertorin e saj letrat, në një bashkëpunim me Penguin Press dhe me kontrata botimi në Kanada e SHBA, si edhe dhjetëra kontrata të tjera për përkthimin e librit.
Përmes “Poshtërimit”, do të jenë lexuesit në fakt, ata të cilët do të zhvillojnë një hetim përbrendësor në mendjen e Ypit, e cila përmes rrugëtimeve jetësore, do të shpalosë edhe një herë tregimin e saj socio-filozofik, të një kohe kur Shqipëria dhe shqiptarët, ishin dhe nuk ishin kjo që shfaqen sot./Katror.info