“The Running Man” po rikthehet në ekran të madh, dhe duket një film argëtues, që do ta mbajë publikun në kulmin e emocioneve. Pas sukseseve në filmat, “Hit Man”, “Anyone but You” dhe “Twisters”, aktori Glen Powell vjen në rolin protagonist të filmit të ri të regjisorit, Edgar Wright.
I bazuar në romanin e vitit 1982 të autorit Stephen King – i cili pesë vjet më vonë u shndërrua në film, me Arnold Schwarzeneggerin në rolin kryesor – “The Running Man” zë vend në një shoqëri distopike, ku një lojë i vë konkurrentët, të njohur si ‘runners’, përballë disa vrasësve të çmendur. Ata duhet të mbijetojnë për 30 ditë, teksa përndiqen nga vrasësit profesionistë, dhe çdo lëvizje e tyre transmetohet drejtpërdrejt në publik.
Nga dëshpërimi për ta shpëtuar vajzën e tij të sëmurë, Ben Richards, i portretizuar nga Glen Powell, bindet nga producenti i këtij shou, Dan Killian, që të bëhet pjesë e kësaj loje, në mënyrë që t’i sigurojë të hollat që i nevojiten. Por instinktet dhe vendosmëria e Benit, befas e shndërrojnë atë në një lojtar të preferuar të tifozëve, dhe në kërcënim për të gjithë sistemin.
Pjesë e kastës janë edhe aktorët, Josh Brolin, Colman Domingo, Katy O’Brian, Lee Pace dhe Michael Cera.
“The Running Man” do të jetë në dispozicionin e publikut mbarë botëror nga 7 nëntori.









