Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, priti sot në takim Agjutantin e Përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneral major Stephen Osborn. Takimi shërbeu si një dëshmi e bashkëpunimit të qëndrueshëm dhe të suksesshëm ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, si pjesë e Programit të Partneritetit Shtetëror.
Në fokus të bisedimeve ishte thellimi i mëtejmë i marrëdhënieve mes dy forcave, me theks të veçantë në përgatitjet që janë duke u zhvilluar për zbarkimin e përbashkët të njësive të FSK-së dhe atyre të Gardës Kombëtare të Iowa-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu, palët u pajtuan për të avancuar bashkëpunimin përmes trajnimeve të përbashkëta, shkollimeve, stërvitjeve dhe aktiviteteve të tjera ushtarake, duke synuar ngritjen e kapaciteteve dhe shkëmbimin e përvojave profesionale.
Ministri Maqedonci shprehu mirënjohjen e tij ndaj gjeneralit Osborn për kontributin dhe angazhimin në forcimin e partneritetit dypalësh, duke e falënderuar përzemërsisht Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme dhe të pakursyer ndaj forcave të sigurisë së Kosovës./Katror.info