Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka njoftuar sot themelimin zyrtar të Forumit të Sektorit Privat në Republikën e Kosovës, një platformë e re që synon të përfaqësojë në mënyrë të unifikuar interesat e komunitetit të biznesit vendor dhe atij ndërkombëtar.
Sipas njoftimit të OEK-së, Forumi i Sektorit Privat është krijuar me qëllim të forcimit të dialogut ndërmjet sektorit privat dhe institucioneve publike, si dhe për të avokuar për një klimë më të favorshme për biznes, investime dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vend.
“Oda Ekonomike e Kosovës, si iniciatore e këtij forumi, synon që përmes kësaj platforme të krijojë një zë të përbashkët dhe të koordinuar të sektorit privat në raport me politikat publike dhe proceset vendimmarrëse,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Sipas OEK-së, krijimi i këtij forumi vjen si përgjigje ndaj nevojës për një mekanizëm të strukturuar për përfaqësim më të fuqishëm të interesave të biznesit, veçanërisht në një periudhë sfidash ekonomike dhe reformash strukturore.
“Forumi i Sektorit Privat është ndërtuar mbi parimet e transparencës, përfaqësimit të barabartë dhe bashkëpunimit konstruktiv. Ai synon të jetë partner serioz i institucioneve publike në avancimin e reformave dhe në rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike të Kosovës,” thekson Oda Ekonomike e Kosovës. /Katror.info










