Imagjinoni melodi të mbushura me trumpetë dembele, piano gërvishtëse dhe një kitarë të vjetër të gjetur në një magazinë të harruar, duke u zvarritur nëpër rrugicat e ngushta të errëta të xhazit dhe blues ndërsa komandohen nga një këndim ulurime sa të tmerrshëm aq edhe bindës! Kjo është muzika e Thomas Alan Waits.
Tepër e larmishme por e qëndrueshme, e përgjakur dhe e papërpunuar, por infektuese dhe delikate. Puna e Waits ekziston në një seri paradoksesh që vetëm sa e shtojnë origjinalitetin e saj. Duke aplikuar elemente të ndryshëm të zhanreve me shtrirje të gjerë, trashëgiminë letrare të shkrimtarëve të Beat-it dhe si një personazh i pagabueshëm skenik, Tom Waits ka formuar një stil që meriton klasifikimin e tij në “zhanër” të veçantë.
Një nga aspektet më të habitshme të punës së Tom Waits është se si ndryshon reagimi i dëgjuesit me kalimin e kohës, ndonëse fillimisht i bombarduar nga ritmi rrëzues dhe ngatërresa e muzikës, mund të fitohet përshtypja e gabuar se teksti përmban grushtin më të fuqishëm në çimentimin e një kujtese të qëndrueshme të krijimtarisë së tij. Por, rock and roll bazohet shumë më tepër në krijimin e një atmosfere shumë të veçantë, të gjallë dhe në fund të fundit të paharrueshme gjë që Waits e bënë deri në efekte fotografikë në këngët e tij.
Me zërin e tij të ashpër e zhavorr, Waits këndon për vetminë dhe mallin në orët e vona, për të huajt dhe të përjashtuarit, jetën e ulët në dyqanet e pijeve alkoolike, në bare kokteji, strip fuga dhe sallone tatuazhesh, për të gjithë që patën fat dhe që ikën nga mjerimi për të ëndërruar, ose për të pirë për të harruar.
I lindur në një taksi në Pomona, në një familje të klasës së mesme të ultë në Kaliforni, i apasionuar pas stilit bohem të jetës së përshkruar në literaturën e Beat-it, Waits jetoi në makinën e tij dhe në hotelet e largëta të periferisë së Los Anxhelosit në fillimet e karrierës e tij. Waits u rrit në Kaliforninë Jugore dhe më pas u bë performues piano bari, jeta e të cilit karakterizohet aq me besnikëri në këngët e tij. Përshkrimet e ashpra, ndonjëherë romantike të jetës së klasës së ulët urbane, e bënë atë të ketë ndjekës besnik, edhe pse të kufizuar, dhe ia dhanë atij admirimin e kritikëve dhe të muzikantëve të shquar që interpretuan dhe incizuan këngët e tij.
Vokali i tij i vrullshëm, i lëshuar në zhurmën e tij të veçantë, ngjall atmosferën e natës së klubeve të tymosur në të cilat ai performoi për herë të parë në fund të viteve 1960. Duke u mbështetur në muzikën jazz, blues, pop dhe avangarde rock, ai kombinoi orkestrimet e rralla me luajtjen e tij në piano dhe kitarë dhe tekstet e vetëdijes që pasqyronin ndikimin e shkrimtarëve Jack Kerouac dhe Charles Bukowski.
Ai u “zbulua” duke luajtur piano në një bar dhe publikoi albumin e tij të parë, “Closing Time” (Koha e mbylljes), një akustikë bluz me balada të buta, në vitin 1977. Ai u bë i njohur për zërin e tij të rëndë dhe këngët e bazuara në xhaz/blues me sentimentalet e tyre. Albumet e tij qëndruan në këtë stil të pritshëm, me një përdorim në rritje të instrumenteve mbështetëse. Megjithëse albumet e Waits gjetën sukses të konsiderueshëm komercial në Britani duke filluar nga mesi i viteve 1980, madje edhe albumet e tij më të shitura – Small Change (1976) dhe Heartattack and Vine (1980) – suksesi në lista amerikane ishte ende modest.
Albumi i 6 i tij, “Blue Valentine” (Shën Valentini blu) më 1978 ishte projekti që Waits me guxim e realizoi me pritje që kritika do ta bombardojë dhe hedh poshtë. Don Shewey i Rolling Stone e pat cilësuar si albumi më i “fortë” deri atëherë dhe se Waits ka prekur notat më të duhura për muzikën që e bënte me vite por mbetej vetëm në suazat e muzikës së “orëve të vona” dhe se këngët e tij “renditen lart në mesin e sagave sentimentale që përmbajnë shkrimet më të forta të Tom Waits.
Në librin “Rock Albums of the Seventies” (1981), Robert Christgau eseist dhe teoricient muzikor shkroi se “Waits me Blue Valentine vazhdon të bëhet më i çuditshëm por edhe më i mirë”. Me paraqitjen e plotë të këngës “Somewhere” (Diku) nga muzikali “West Side Story” i Leonard Bernstein, ia kalon “My Way” (Mënyra ime) të Frank Sinatrës në performance shokuese të Sid Vicious nga Sex Pistols në shndërrimin e një evergreeni në avantgardë.
Por, Christgau dyshon se edhe vetë Waits është i vetëdishëm për dhuratën nga Zoti për talentin unik që e kishte. Kënga “Romeo Is Bleeding” (Romeo po gjakoset), nga ky album në mesin e sagave të tij të tragjedisë jashtë ligjit, është shumë efektiv kur ai nënvizon rezonancën e tij emocionale të përzier me fraza brutale urbane të asaj kohe në gjuhën spanjolle për të pasqyruar sa më me besnikëri tregimin modern për Romeo dhe Xhulieten. Titulli i këngës bëhet aq ikonik sa që regjisori Peter Medak e lut Waitsin për huazimin e titullit për filmin e tij me Gary Oldam në rolin kryesor.
Tom Waits më i pazakontë dhe fenomenal vjen me albumin “Swordfishtrombones”. Në vitin 1983 Revista New Statesman e përshkroi albumin si “devijim orkestral të mbeturinave… një seri fragmentesh nga një ditar i gjysmë i lexueshëm në të cilin Waits dhe grupi i tij luajnë pothuajse në çdo gjë që vjen në dorë, për sa kohë që bën zhurmë.”
Por, doli që publiku mendonte ndryshe. Albumi ishte më përmbajtësor se aq, dhe parashikimet u tejkaluan. Albumi shënon fillimin e përdorimit eklektik të instrumenteve nga Waits. Stilistikisht i ndryshëm nga albumet e tij të mëparshme, “Swordfishtrombones” largohet nga shkrimi konvencional i këngëve të bazuara në piano drejt instrumentimit të pazakontë dhe një qasjeje më abstrakte dhe eksperimentale në rock.
Shpesh konsiderohet i pari në një trilogji të lirshme që përfshin albumet “Rain Dogs” dhe “Franks Wild Years”. Sipas The Guardian, “këto janë këngë të origjinalitetit dhe lojërave befasuese, të mosmarrëveshjeve kakofonike dhe melodisë së papritur zemërthyese, në të cilat dukej se artisti po përpiqej të përfshinte të gjithë historinë e këngës amerikane në tregimin e lirë poetik.
Lirikisht, tregimet e Waits-it për të dehurin dhe të dashurin janë zëvendësuar nga rrëfime surreale. Muzika mund të jetë primitive, duke lëvizur në kohë të çuditshme, ndërsa Waits në mënyrë të alternuar ulëritës dhe fishkëllimë në zërin e tij të zhavorrit bas dhe barriton, duket se ka kaluar nga Louis Armstrong te Howlin Wolf.
“Swordfishtrombones” u rendit si albumi i dytë më i mirë i vitit 1983 nga NME. Në vitin 1989, Spin, revista amerikane me renome për muzikë e quajti “Swordfishtrombones” albumin e dytë më të mirë të të gjitha kohërave, ndërsa Shtëpia botuese Pitchfork e renditi atë në vendin e 11-të në listën e tij të vitit 2002 të albumeve më të mira të viteve 1980. Në vitin 2006, Q e renditi atë si albumin e 36-të më të mirë të viteve 1980, ndërsa në vitin 2012, Slant Magazine e renditi atë si albumin e 26-të më të mirë të dekadës. Në vitin 2000, u votua numri 374 në 1000 albumet më të mira të të gjitha kohërave të Colin Larkin, shkrimtar britanik i muzikës, themelues i Enciklopedisë së Muzikës të Popullarizuar.
Me shkrimtarin William S. Burroughs dhe regjisorin e teatrit Robert Wilson realizojnë muzikalin, “The Black Rider”, (Kalorësi i zi) (1990). Me Robert Wilson realizon edhe muzikalin “Alice” nga i cili 10 vite më vonë dalin këngët për albumin “Alice” dhe operën “Woyczek” për ushtarin e çmendur nga Lufta e Parë Botërore, dhe nga kjo operë dalin këngët për albumin “Blood Money”. Në vitin 1992, me albumin “Bone Machine” (Makina e kockave), tipik për përpjekjet e tij gjithnjë e më eksperimentale muzikore në vitet 1990, fitoi çmimin Grammy për albumin më të mirë të muzikës alternative.
Albumet e mëvonshme përfshinin “Mule Variations” (Variacionet e Mushkës) 1999, i cili fitoi çmim Grammy për albumin më të mirë bashkëkohor në Folk muzikë dhe u nominua për performancën më të mirë për këngën “Hold On” në kategorinë rock performance. Në vitin 2012, albumi u rendit në numrin 416 në listën e Rolling Stone të 500 albumeve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Albumi “Alice” (2002) përmban shumicën e këngëve të shkruara 10 vite më parë për operën “Alice”, e regjisorit Robert Wilson në Teatrin Thalia në Hamburg në vitin 1992. Alice ka të bëjë me obsesionin e Charles Lutwidge Dodgson shkrimtar anglez që shkruante nën pseudonimin Lewis Carroll, me Alice Liddell një vajzë e cila ishte, frymëzim për novelën legjendare “Alice’s Adventures in Wonderland” (1865) (Liza në botën e çudirave).
Në vitin 2002, Alice u publikua bashkë me “Blood Money” (Paratë e gjakut), I pyetur pse ai publikoi “Alice” dhe “Blood Money” së bashku, Waits shpjegoi: “nëse do ta ngrohësh dhomën, nuk ka kuptim të bësh vetëm një petull”.
Waits i cili këngën Alice e këndoi sikur të ishte i lindur me whiskei në fyt i përshkroi këngët e Alices si “këngë për të rritur për fëmijë, ose këngë për fëmijë për të rritur. Është një vorbull apo ëndërr me ethe, një poemë, këngë pishtari dhe vals…një odise në logjikën e ëndrrave dhe marrëzisë.”
Në vitin 2004, Waits publikoi albumin e tij të pesëmbëdhjetë në studio, “Real Gone” (I shkuar me të vërtet). Albumi është një blues i zhveshur nga konturat tradicionale të bluesit dhe secila këngë është rrëfim në vete, me tema të ndryshme mes tjerash edhe nga lufta e atëhershme në Irak. Waits e kishte incizuar atë në një shkollë të braktisur në Locke, një qytezë e vogël në Kaliforni po ashtu gati e braktisur dhe që nga 1990 është shpallur trashëgimi historike kombëtare.
“Bad as me”(I keq si unë), albumi i fundit studio ai tingëllon si një djalë që u godit nga një makinë, u ngrit, u largua dhe filloi të këndonte. Me gjithë indulgjencat e tij, këto këngë janë koncize dhe të punura me mjeshtëri, dhe “Bad as Me” është sa i ri po aq i lashtë në temat dhe strukturën e tij.
Këngët e tij i kanë performuar dhe kanë korrur sukses artistë të ndryshëm. Në 1973, Tim Buckley këndoi “Martha”, ashtu siç bëri Meat Loaf në 1995. The Eagles këndoi “Ol’ 55”, Rod Stewart pati sukses me këngët “Downtown Train” dhe “Tom Traubert’s Blues”, Bob Seger e bëri “Blind Love”, “New Coat of Paint” dhe “Downtown Train”. Paul Young i ribëri “Soldier’s Things” dhe Ramones “I Don’t Wanna Grow Up”.
Johnny Cash këndoi “Down There by the Train”, të cilën Waits e shkroi për të. Tori Amos këngën “Time” (2001) ajo e performoi atë në “Late Show With David Letterman”, performanca e parë live muzikore pas sulmeve terroriste më 11 shtator 2001.
Willie Nelson këngën “Picture in a Frame”. Holly Cole publikoi një album të tërë më këngët e Waits ashtu si Scarlett Johansson me “Anywhere I Lay My Head”. Norah Jones përfshiu një këngë që Waits shkroi për të, “Long Way Home”, në albumin e saj Feels Like Home. Joan Baez mbuloi këngët e tij në “Day After Tomorrow” dhe “Whistle Down the Wind”. Rosanne Cash, Aimee Mann, Phoebe Bridges dhe të tjerë kontribuan në “Come On Up to the House”: “Women Sing Waits” (Gratë e këndojnë Tom Waitsin) më 2009.
Vendosja teatrale e shfaqjeve live të Waits çoi në vitet 1980 në një karrierë alternative si aktor filmi, ai shkëlqeu veçanërisht në “Down by Law” të Jim Jarmush. Ai bëri paraqitje të mëtejshme në “Dracula”, “Mystery Men”, “Coffee and Cigarettes” ku ai dhe Iggy Pop luanin vetveten në një ndër skenat më legjendare të luajtur ndonjëherë nga ndonjë muzicient në rolet reale të vetvetes. Filmuar në vitin 1993 si filmi i shkurtër “Coffee and Cigarettes ” me nëntitulli – “Diku në Kaliforni” fitoi Palmën e Artë të Filmit të Shkurtër në Festivalin e Filmit në Kanë. Në këtë segment muzikantët Iggy Pop dhe Tom Waits pinë cigare për të festuar që e kanë lënë cigaren, pinë pak kafe dhe bëjnë bisedë palidhje, por të vështirë. Në pika të ndryshme, tinëzisht secili prej tyre me kënaqësi vëren se këngët e tjetrit nuk janë në xhuboks të kafenesë, gjë që fshehurazi ia kanë zili njëri tjetrit.
Tiparet e tij saturnike dhe zëri i tij i thellë si i grisur me rërë i përshtateshin në mënyrë të përkryer roleve mefistofeliane ku ai i përdori këto atribute me efekt të paharrueshëm si në rolin në një nga “njerëzit përgjegjës” të purgatorit në filmin “Wristcutters, A Love Story” (2006) dhe si vetë Djalli në “The Imaginarium of Doktor Parnassus” (2009). Këto karakteristika të vetive të tij i ndihmuan edhe në rolin e njërit nga psikopatët në filmin “Seven Psychopahts” Bashkëpunimet e tij në filma me regjisorët, Jim Jarmush, Vëllezërit Nathan dhe Noel Cohen e edhe me Francis Ford Copola paraqesin një thesar të veçantë në kinematografinë botërore si në aktrim, kolona zanore dhe këngë për filma. Ai u përfshi në “Rock and Roll Hall of Fame më 2011”.
Rob Bowman, eseist që e ka shkru një ese për Tom Waits ka konkluduar se “Në agimin e dekadës së dytë të shekullit të 21-të, ndikimi i Waits mund të shihet në punën e shumë prej artistëve bashkëkohorë të krijimit dhe mendimit progresiv, duke përfshirë Beck, PJ Harvey dhe Thom Yorke të Radiohead të cilët më tutje e kanë shtrirë ndikim e tyre në Rrokun kreativ.” Muzikantë të tjerë që kanë shprehur admirim për punën e Waits përfshijnë Elvis Costello, Bruce Springsteen, Joe Strummer nga The Clash, Michael Stipe nga R.E.M, Frank Black nga Pixies dhe James Hetfield nga Metallica.
Bob Dylan, një ndikim i madh në Waits, e quajti atë një nga “heronjtë e tij të fshehtë”. Patrick Humphries i cili i ka shkruajtur dy libra për Tom Wait, “ Many Lives of Tom Waits” dhe “A Small Change, A Life Of Tom Waits” e përshkroi atë si “një nga kantautorët më të mirë të Amerikës pas Dylanit” dhe, së bashku me piktorin amerikan Edward Hopper, “një nga dy përshkruesit më të mëdhenj të izolacionizmit amerikan. Barney Hoskyns i cili e ka shkruar një libër biografik për Tom Waits “Lowside of the Road”,e quajti atë “një artist amerikan më i rëndësishëm sa kushdo tjetër që shekulli XX ka prodhuar.” Ai vëren se nga fundi i shekullit XX, “Waits ishte një figurë ikonike alternative, jo vetëm për fansat që ishin rritur me të, por për brezat pasues të muzikantëve “, duke u “pranuar universalisht si një burrë shteti më i vjetër i rock-ut “alternativ”.
Karen Schoemer e Newsweek tha se “për brezin postboomer, ai është më Dylan se Dylan.
Nëse pianistët e bareve në tërë botën të kishin ligën e vete sportive, Tom Waits do të ishte kampion i përjetshëm në të gjitha disiplinat, tregime të lezetshme, performime deri në mëngjes dhe natyrisht “konsumim të whiskit”. Waits mbetet artisti i rrallë në 50 vitet e fundit që ka arritur me sukses diçka aq radikale sa një rishpikje e plotë artistike. Një kompozitor me një shije të errët dhe groteske po aq sa edhe për teatralen dhe të bukurën, Waits ka krijuar një katalog të ngarkuar me personazhe bizarë, vjersha “morbide” për fëmijë, bluzë të rrëmujshme dhe një pamje unike jokonvencionale të muzikës rock dhe xhaz. Ai krahas Bob Dylan Leonard Cohen, Nick Cave ose Shane MacGowan i ka dhënë poezi të bukur muzikës gjë që e ka fisnikëruar atë duke i kënduar tregimet ndër më të bukurat në muzikë. Megjithëse u deshën disa eksperimente, prova dhe gabime, puna e tij mbetet puro artistike kudo që preket, mjafton t’i shohim, por edhe t’i prekim kopertinat e albumeve të tij nga dizajni deri te fotografitë, janë punë arti deri në “palcë”.
E vërtetë, muzika e Tom Waits nuk është për të gjithë, por është për disa, përgjithmonë dhe kudo, si në kënetat rreth New Orleans, periferitë e Filadelfias, rrugicat e Parisit apo bodrumet e Berlinit dhe madje edhe në lagjet në skaje të Prizrenit në Kosovë. Skena nga “Coffee and Cigarettes” zhvillohet në një mjedis që më shumë i ngjan çajtores së anëve tona se sa kafeneve “Diku në Kaliforni” siç thotë nëntitulli i filmit./Katror.info
Përgatiti:
