Është koha për risi të mëdha në industrinë e automobilave, të tilla si futja e makinave dhe automjeteve vetë-drejtuese me lloje të ndryshme të sistemeve alternative të drejtimit në trafik, dhe një ide tjetër interesante sapo po vjen nga Japonia.
Toyota prezantoi një koncept interesant të kontrollit të automjeti në ngjarjen Japan Mobility Show në Tokio. Bëhet fjalë për sistemin e kontrollit të makinës, të quajtur Neo Steer, shkruan Katror.info.
Neo Steer është një timon që i bën të tepërta pedalet e gazit dhe të frenave, pasi të dy funksionet janë të integruara në timon. Duket e ngjashme me timonin Yoke të Tesla-s, por ka shumë më tepër veçori.
Në Toyota thonë se frymëzimi për dizajnin inovativ vjen nga motoçikletat. Timoni i ri jo vetëm që ofron një fushë më të madhe shikimi për shoferin, por gjithashtu mundëson një pozicion më të mirë të ndenjësisë dhe e bën më të lehtë hyrjen dhe daljen.
Mirëpo, për momentin nuk ka asnjë informacion për prodhim serik apo model që do të kishte një timon të tillë./Katror.info