Një platformë e re digjitale, “Trashëgimi me ngjyra,” është lansuar me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, duke sjellë një mënyrë unike dhe emocionuese për fëmijët që të mësojnë për trashëgiminë kulturore të Prishtinës. Ky libër interaktiv me aktivitete është i qasshëm në çdo pajisje, qoftë IOS apo Android, dhe kombinon argëtimin me edukimin.
Platforma u ofron fëmijëve mundësinë për të eksploruar thesaret kulturore të qytetit nëpërmjet ilustrimeve për ngjyrosje, lojërave argëtuese dhe tregimeve të shkurtëra, duke nxitur kreativitetin dhe ndërgjegjësimin për vlerat historike.
Autore dhe ilustratore e projektit është Erodita Klaiqi, ndërsa zhvilluesit përfshijnë Ylli Limanin, Blina Kasumin, Gazmend Zekën dhe Alban Kasumin. Ky projekt mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.
Nëpërmjet ilustrimeve të bukura, udhëzimeve të qarta dhe tregimeve frymëzuese, platforma synon të nxisë fëmijët të vlerësojnë trashëgiminë kulturore që në moshë të hershme dhe të jenë ruajtës të saj për brezat e ardhshëm./Katror.info