Kadetët e Qendrës për Studime Universitare (QSU) të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke fituar medaljen e artë në garën ndërkombëtare të Ligjit të Konfliktit të Armatosur (LOAC), të organizuar nga Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) në Sanremo të Italisë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) në një njoftim zyrtar, shkruan Katror.info
Instituti Ndërkombëtar i Ligjit Humanitar (IIHL) është një organizatë e pavarur që promovon ligjin ndërkombëtar humanitar, të drejtat e njeriut dhe ligjin e refugjatëve, duke ofruar kurse dhe konferenca për profesionistë ushtarakë, diplomatë dhe juristë.

Çdo vit, IIHL organizon një garë të veçantë për akademitë ushtarake nga mbarë bota, ku kadetët mësojnë dhe zbatojnë Ligjin e Konfliktit të Armatosur në skenarë të simuluar ushtarakë.
Pjesëmarrja realizohet me ekipe të përbëra nga tre kadetë dhe një lider ekipi.
Këtë vit, për herë të parë që merr pjesë në këtë garë, Qendra për Studime Universitare arriti të sigurojë medaljen e artë – duke dëshmuar avancimin që kjo qendër po arrin në përgatitjen e kadetëve të saj.
Sipas njoftimit të FSK-së, “ky triumf pasqyron progresin që Qendra për Studime Universitare po shënon në ngritjen e kapaciteteve të saj si një institucion akademik ushtarak. Ai reflekton përkushtimin dhe disiplinën e kadetëve, si dhe përparimin e Qendrës në skenën ushtarake ndërkombëtare.”
Ky sukses është jo vetëm krenari për institucionin ushtarak, por edhe për vendin, duke dëshmuar se Kosova po rritet me hapa të sigurt në fushën e sigurisë, ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar./Katror.info