Për herë të parë, Mitrovica Veriore ishte nikoqire e një turneu masovik të basketbollit 3×3, i organizuar të dielën nga Komuna e Mitrovicës Veriore dhe basketbollisti i njohur Drilon Hajrizi, me mbështetjen e Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), shkruan Katror.info.
Ngjarja mblodhi 13 ekipe dhe u hap nga veteranët e Trepçës, të cilët u pritën me duartrokitje nga publiku, duke dëshmuar se atmosfera dhe pasioni ishin më të rëndësishme se rezultati. Gjatë gjashtë orëve të turneut, të rinjtë e qytetit shijuan basketbollin dhe muzikën, duke krijuar një spektakël energjik dhe të gëzueshëm.
Finalja u zhvillua mes ekipeve Bero Kingdom dhe 04, ku emocionet ishin të mëdha. Në fund, triumfues u shpall Bero Kingdom, duke fituar çmimin prej 2000 eurosh nga organizatorët.
Turnetë e 3×3 po bëhen gjithnjë e më të popullarizuar në Kosovë, ndërsa FBK synon të rrisë masivizimin e këtij sporti dhe të fuqizojë pjesëmarrjen e të rinjve në aktivitete sportive./Katror.info