Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, beson se udhëheqësia e Ukrainës është “e gatshme për të lëvizur përpara” sa i përket kërkesës së Shteteve të Bashkuara për procesin e armëpushimit me Rusinë, sipas një zyrtari të lartë të Departamentit të Shtetit.
Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, dhe këshilltari për Siguri Kombëtare, Mike Waltz, pritet të arrijnë në Arabinë Saudite për bisedimet e së martës me homologët e tyre ukrainas, raporton televizioni BBC.
“Fakti që ata do të vijnë këtu në nivele të larta është një tregues i mirë për ne se ata duan të ulen dhe janë të gatshëm për të lëvizur përpara” – tha zyrtari i Departamentit të Shtetit, duke folur në kushte anonimiteti për ta diskutuar takimin me Ukrainën në Jeddah të Arabisë Saudite.
Përderisa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjithashtu pritet të shkojë në Arabinë Saudite për t’u takuar me princin Mohammed bin Salman, ai nuk pritet të luajë ndonjë rol formal në bisedimet me amerikanët.
Ekipi ukrainas do të përfaqësohet nga shefi i zyrës së Zelenskyt, Andriy Yermak, këshilltari për siguri kombëtare, ministri i Punëve të Jashtme dhe ministri i Mbrojtjes.
Në video-adresimin e tij të dielën vonë, Zelensky tha: “Ne shpresojmë për rezultate – edhe për sjelljen e paqes më afër, edhe për vazhdimin e përkrahjes.”
Zelensky ka qenë nën presion të madh nga Shtetet e Bashkuara për të bërë koncesione para bisedimeve të mundshme të paqes, ndërsa ai ka kërkuar garanci të sigurisë për vendin e tij, duke theksuar se Putini ka shkelur marrëveshje armëpushimi në të kaluarën.
Të premten, Trumpi bëri një kërcënim të rrallë për sanksione shtesë kundër Rusisë në përpjekje për ta siguruar armëpushimin në konflikt. Rusia tashmë është e sanksionuar rëndë nga ShBA-ja për shkak të luftës kundër Ukrainës.
Gjatë bisedimeve në Arabinë Saudite raportohet se do të diskutohet edhe marrëveshja për mineralet e Ukrainës. Ukraina ka bërë ofertë që t’i ofrojë ShBA-së qasje në rezervat e mineraleve të rralla në këmbim të garancive të sigurisë./Nacionale/Katror.info