Bazuar në ranglistën e fundit të platformës Webometrics, Universiteti i Prishtinës (UP) ka regjistruar një ngritje të konsiderueshme, duke u ngjitur për 412 vende vetëm në vitin e fundit. Ky sukses është reflektim i përpjekjeve të vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë e arsimit të lartë në vend, shkruan Katror.info.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit, Arbërie Nagavci, u shpreh e lumtur me avancimin e universiteteve publike të Kosovës gjatë 4 viteve të fundit.
“Krenare dhe e lumtur me avancimin e universiteteve tona publike në platformën prestigjioze Webometrics”, thuhet në njoftimin e Nagavcit.
Në periudhën nga viti 2021 deri më sot, universitetet publike të Kosovës kanë shënuar një rritje të konsiderueshme në ranglistën Webometrics. Universiteti i Prishtinës, për shembull, ka avancuar për 469 vende, duke kaluar nga vendi i 3,009 në vitin 2021 në vendin e 2,540 në vitin 2025.
Po ashtu, edhe Universiteti i Mitrovicës ka regjistruar një rritje të madhe, duke u ngjitur për 2,268 vende, nga vendi i 12,947 në vitin 2021 në vendin e 10,679 në vitin 2025.
Universitetet e tjera, si Universiteti i Pejës, Universiteti i Prizrenit, Universiteti i Gjakovës dhe Universiteti i Gjilanit, kanë përjetuar gjithashtu ngritje të konsiderueshme, me rritje që variojnë nga 2,926 deri në 7,497 vende.
Këto përmirësime janë pasojë e angazhimit të stafit akademik dhe menaxhmentit të universiteteve, të cilët kanë kontribuar ndjeshëm në avancimin e cilësisë akademike dhe kërkimit shkencor./Katror.info