Universiteti i Prishtinës ka riafirmuar angazhimin e tij ndaj vlerave themelore të arsimit të lartë përmes nënshkrimit të Magna Charta Universitatum 2020 (MCU2020).
Karta u nënshkrua nga Rektori, Prof. Arben Hajrullahu, gjatë eventit dhe konferencës të organizuar me rastin e përvjetorit të Magna Charta Observatory, më 11–13 nëntor në King’s College London. Universiteti u përfaqësua gjithashtu nga Prorektorja për Ndërkombëtarizim dhe Shkëmbim Akademik, Prof. Rozafa Basha.
Universiteti i Prishtinës kishte miratuar për herë të parë Magna Charta-n e vitit 1988 në vitin 2003 dhe kishte nënshkruar versionin MCU2020 në mënyrë virtuale në vitin 2021. Ky nënshkrim i ri tregon përkushtimin e UP-së ndaj lirisë akademike, autonomisë universitare dhe shërbimit ndaj shoqërisë.
Universiteti shpreh krenarinë që është pjesë e rrjetit të universiteteve botërore që i qëndrojnë besnike këtyre parimeve të përbashkëta./Katror.info











