Universiteti i Prishtinës ka hapur dy konkurse për bursa studentore, duke targetuar studentët ekselentë të studimeve master për vitin akademik 2025/’26 dhe ata të programit njëvjeçar të Fakultetit të Arteve për vitin 2024/’25. Bursat, me vlerë nga 700 euro secila, synojnë të mbështesin studentët me rezultate të larta dhe të nxisin vazhdimin e studimeve në UP.
Sipas njoftimit të universitetit, studentët që synojnë bursën master duhet të jenë të regjistruar në vitin akademik 2024/’25, pa vit të përsëritur, me të gjitha provimet e përfunduara deri në afatin e shtatorit. Po ashtu, kërkohet regjistrimi i semestrit dimëror të vitit të ardhshëm akademik dhe një notë mesatare jo më të ulët se 9.
Kriteret janë të ngjashme edhe për programin njëvjeçar të Fakultetit të Arteve, ku studentët duhet të kenë statusin e rregullt, të mos kenë përsëritur vit, të kenë dhënë të gjitha provimet në shtator 2024/’25 dhe të kenë të regjistruar dy semestrat e vitit të kaluar. Edhe këtu, nota mesatare minimale është 9.
Aplikimi për të dy kategoritë do të bëhet përmes platformës sems.uni-pr.edu, duke nisur nga ora 10:00 e së premtes, më 21 nëntor 2025, dhe do të jetë i hapur deri më 26 nëntor, në orën 16:00.
UP ka theksuar se këto bursa janë pjesë e politikave të vazhdueshme për të mbështetur studentët që tregojnë rezultate të larta akademike dhe për të forcuar cilësinë e studimeve në universitetin më të madh në vend./Katror.info











