Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” është ngritur për 262 vende më lartë në listën e universiteteve më cilësore, në platformën botërore për rangimin e universiteteve – Webometrics.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Këshillit Drejtues të UP-së, Altin Sahiti.
“Sot u bë edhe përditësimi më i ri në platformën webometrics i cili ngrit UP-në për 262 vende. Në bashkëpunim me Rektorin Qerimi kemi ndërrmarr disa hapa konkret duke përditësuar disa nga të dhënat brenda UP që merr për bazë webometrics dhe kështu i kemi paraprirë matjeve në Janar që i bënë kjo platformë”- ka thënë Sahiti.
Ndërsa sa i përket institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë, UP-ja ka disa vite që mban primatin si lider në mesin e universiteteve tjera publike e private.
Sipas profesorit universitar, Blerim Rexha “Universiteti i Prishtinës ka shënuar progres të pakontestueshëm viteve të fundit në hulumtime shkencore, e vlerësuar me dy kritere nga Webometrics: (i) Excellence – me 40% të peshës totale, duke numëruar numrin e punimeve shkencore gjatë viteve 2017-2021 nga Scimago dhe (ii) Openness – me 10% duke numëruar numrin e citimeve sipas Google Scholar nga top 310 autorët”.