Universiteti i Prishtinës ka hapur thirrjen për aplikim në programin e punës praktike profesionale me pagesë, duke ofruar një mundësi të rëndësishme për studentët dhe të diplomuarit e tij që të pasurojnë njohuritë teorike me përvojë konkrete në ambientet administrative të institucionit, shkruan Katror.info.
Ky program ka për qëllim të fuqizojë lidhjen mes arsimit dhe tregut të punës, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë që të angazhohen në fusha të ndryshme profesionale dhe administrative brenda strukturave të Universitetit të Prishtinës. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë studentët e nivelit bachelor dhe master në njësitë akademike të UP-së, si dhe të diplomuarit e këtij institucioni. Sipas nevojës, për disa aplikantë mund të zhvillohet edhe intervistë me gojë.
Angazhimi në këtë program parashihet të zgjasë gjashtë muaj, me një orar fleksibil që do të përcaktohet në koordinim me mbikëqyrësin përkatës Për këtë program janë të hapura 30 pozita praktike. Për çdo muaj të angazhimit, praktikantëve do t’u paguhen 200 euro. Fusha e zhvillimit të praktikës do të caktohet pas përzgjedhjes së kandidatëve, në përputhje me profilin e tyre dhe nevojat konkrete të Universitetit të Prishtinës.
Aplikimi për pjesëmarrje në program është i hapur nga data 23 prill deri më 29 prill 2025. Studentët aktivë të UP-së mund të aplikojnë përmes platformës zyrtare sems.uni-pr.edu, ndërsa të diplomuarit mund të përdorin faqen praktika.uni-pr.edu./Katror.info