Një nga hapësirat më të dashura dhe ikonike për qytetarët e Prizrenit, Kino “Lumbardhi”, po i rikthehet jetës me frymë të re. Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka publikuar sot pamje dhe detaje nga vazhdimi i punimeve për restaurimin e kësaj kinemaje historike, e cila ndër vite është mbrojtur me përkushtim nga komuniteti lokal dhe organizatat kulturore.
“Kino Lumbardhi nuk është vetëm një ndërtesë, por simbol i rezistencës qytetare dhe kujdesit për trashëgiminë tonë kulturore,” u shpreh ministri Çeku në njoftimin e tij. Ai theksoi se me një investim prej 1 milion euro nga Qeveria e Kosovës, ky projekt po zbaton një proces të kujdesshëm restaurimi që do ta rikthejë Lumbardhin në një qendër të gjallë të jetës kulturore në vend.
Punimet për restaurimin tashmë kanë nisur dhe përfshijnë ndërhyrje të planifikuara për të ruajtur autenticitetin arkitektonik dhe historik të objektit, duke e pajisur njëkohësisht me kushte bashkëkohore për aktivitete kulturore dhe artistike./Katror.info