Për të tretin vit radhazi, Prishtina është epiqendra e diskutimeve ndërkombëtare mbi paqen, sigurinë dhe rolin e grave në ndërtimin e një bote më të drejtë.
Forumi Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili nisi dje dhe vazhdon edhe sot, ka mbledhur mbi 150 folës nga më shumë se 45 vende, të cilët po ndajnë përvojat e tyre në mbi 30 sesione diskutimi, raporton Katror.info.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila është edhe nikoqire e kësaj ngjarjeje, e cilësoi forumin si një thirrje globale për veprim të përbashkët në kohë sfiduese. Ajo vuri theksin te roli vendimtar i grave dhe fëmijëve në proceset e paqes, duke sjellë emocione dhe thellësi përmes fjalës së saj hapëse.
“Dhe ‘kurrë më’ do të bëhet më shumë se një moto, vetëm kur ‘kurrë më’ do të thotë të refuzosh armët si zgjidhje dhe të zgjedhësh dialogun… Sepse fëmijët tanë e meritojnë. Sepse të gjithë fëmijët në botë e meritojnë”, tha Presidentja.
Në fjalën e saj, Osmani shtoi se: “Ata meritojnë të kenë një fëmijëri që jetohet, jo që u vidhet. Ata meritojnë të rriten, të ëndërrojnë dhe të lulëzojnë…”
“Sepse nuk ka asgjë më të vlefshme sesa të luftosh për paqe. Sepse paqja është themeli i gjithçkaje për të cilën përpiqemi”.
Forumi ka mbledhur mbi 150 folës nga më shumë se 45 vende të botës, të cilët do të marrin pjesë në më shumë se 30 panele diskutimi.
Për sigurinë dhe organizimin e forumit, Policia e Kosovës ka marrë masa të posaçme që përfshijnë bllokime dhe riorientime të përkohshme të trafikut./Katror.info