Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar përmes një postimi se Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka miratuar zyrtarisht vazhdimin e Kompaktit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) për Kosovën.
Ky vendim u konfirmua gjatë një takimi të mbajtur në Washington D.C. nga Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, i cili e informoi Presidenten Osmani për miratimin nga ana e Administratës Trump të këtij programi me ndikim të madh për vendin.
Presidentja e cilësoi këtë si një lajm të shkëlqyeshëm për Kosovën, duke theksuar rëndësinë e Kompaktit të MCC për transformimin e sektorit të energjisë dhe për zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm. Ajo shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.
Programi MCC për Kosovën pritet të sjellë investime të rëndësishme në energji të pastër, qëndrueshmëri infrastrukturore dhe përmirësim të kushteve për zhvillim ekonomik afatgjatë./Katror.info