17:12 – E përditësuar
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së nga 97.71 % të votave të numëruara, deri në orën 17:12, Vetëvendosje del të ketë marrë 336 mijë e 249 vota apo 40.94%.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.11% të votave apo 181 mijë e 616 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani me 17.67% apo 145 mijë e 103 vota.
Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët kanë 7.44 % të votave apo 61 mijë e118.
Rezultatet në kohë reale mund t’i ndiqni në këtë link – https://rezultatet.kqz-ks.org/sq/Public/Results
13:09 – E përditësuar
Rezultatet preliminare të KQZ-së për 93.35% të votave të numëruara
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke publikuar në kohë reale numrin e votave të numëruara.
Me 93.25% të votave të numëruara, deri në orën 13:09, Vetëvendosje del të ketë marrë 322 mijë e 376 vota apo 41.01%.
Partia Demokratike e Kosovës, sipas këtyre rezultateve, ka marrë 22.46% të votave apo 176 mijë e 570 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta deri më tani me 17.66% apo 138 mijë e 976 vota.
Koalicioni AAK-NISMA-Intelektualët-Konservatorët kanë 7.51% të votave apo 59 mijë e 36.
Rezultatet në kohë reale mund t’i ndiqni në këtë link – https://rezultatet.kqz-ks.org/sq/Public/Results
11:30
Mbi 90% e votave të numëruara, ky është rezultati i partive politike
Komisioni Qendror i Zgjedhave ka dal me statistika të reja deri në orën 11:04, ku janë numëruar 90.09 për qind e votave, sipas së cilave, Lëvizja Vetëvendosje prin me 41.00 për qind, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 22.35 për qind, Lidhja Demokratike 17.58 për qind, e katërta me radhë është AAK-Nisma me 7.56 për qind të votave.
Këto rezultate preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta, si dhe votat jashtë Kosovës, përcjell Telegrafi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se të dhënat për procesin e votimit do të mblidhen në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet, për shkak të mosfunksionimit të aplikacionit.
Ndryshe, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të vitit 2021, tregojnë se LVV ka marrë 438.335 vota ose 50,280 për qind, PDK 148.285 vota 17,009 për qind, LDK me 110.985 vota ose 12,731 për qind dhe AAK me 62.111 vota ose 7,124 për qind.
***
Vetëvendosje shpall fitoren, partitë opozitare shënojnë rritje
Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit me mbi 40 për qind të votave, sipas rezultateve të publikuara nga partitë politike dhe Demokracia në Veprim. E dyta ka dalë Partia Demokratike me mbi 20 për qind, pasuar nga LDK-ja me 18 për qind e AAK-Nisma 7.6 për qind. Pragun prej pesë për qind nuk e kaloi Lista për Familjen që arriti të marrë vetëm rreth 2 për qind.
Dita e zgjedhjeve kaloi pa asnjë incident dhe Kosova u përgëzua për kulturën demokratike dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në votime. Megjithatë në orët e mbrëmjes Komisioni Qendror Zgjedhor dështoi që t’i publikojë në kohë rezultatet e zgjedhjeve për partitë politike, megjithëse me Ligjin e ri për zgjedhjet ishte thënë ato do të publikohen në afat rekord.
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në konferencë për media para mesnatës tha se për dështimin e sistemit do ta bëjnë një analizë më vonë. Sipas tij, të dhënat preliminare për zgjedhjet parlamentare do të mblidhen manualisht për shkak se platforma nuk po funksionon.
Ai ka garantuar se nuk do të ketë ndikim në rezultate. Ndërsa pasi të grumbullohen në mënyrë manuale, tha se të dhënat do të futen në internet. Por nuk ka dhënë afat kohor se kur mund të ndodhë kjo.
Rezultatet preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.
Pas njoftimit për dështim të softuerit për publikim të votave online, presidentja Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor.
“Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, thuhet në një deklaratë të presidentes në faqen e Presidencës në Facebook.
Deklarata vazhdon duke thënë se presidentja do të jetë në kontakt me institucionet deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar.
DNV-ja e nxjerr fituese LVV-në
Rezultate preliminare, disa orë pas mbylljes së vendvotimeve, i publikoi edhe koalicioni i organizatave “Demokracia në Veprim”.
Sipas numërimit të votave në 98 për qind të vendvotimeve, ky koalicion tha se Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.4 për qind, me marzhë gabimi prej 1.44 për qind. Partia Demokratike e Kosovës është e dyta me 21.7 për qind, me marzhë gabimi 1.45 për qind. Lidhja Demokratike e Kosovës është e treta me 17.5 për qind, me marzhë gabimi 0.97 për qind. Koalicioni AAK-Nisma i katërti me 7.2 për qind, me marzhë gabimi 0.82 për qind dhe koalicioni për Familjen ka 2.4 për qind.
Krahasuar me zgjedhjet e para katër viteve, i bie që LVV ka rënie me 10 për qind. Sipas shifrave të DNV-së, rritjen më të madhe e kanë dy partitë opozitare PDK e LDK. Derisa në vitin 2021, PDK kishte 17 për qind, tani i ka 21.7. LDK nga 12,7 për qind në 2021-n, sipas DNV-së, tash i ka marrë 17,5 për qind. AAK-Nisma ka mbetur thuajse njëjtë – nga 7,1 për qind më 2021 është ngritur në 7.2 për qind. Sa u përket rezultateve nga partitë e komunitetit më të madh jo shumicë – serbëve, Lista Serbe është fituese me 5.4 për qind.
Sipas numërimit të votave nga Demokracia në Veprim, partia “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” e Nenad Rashiqit ka arritur të sigurojë 0.6 për qind të votave në nivel vendi dhe kjo i mjafton që të sigurojë një ulëse në Kuvendin e Kosovës, në hapësirën prej 10 ulësesh për partitë e komunitetit serb.
Kurti thotë se do ta formojnë Qeverinë
Me gjithë rënien krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve, para zyrave të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë janë ndezur fishekzjarrë.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti pas mesnatës ka pasur dy paraqitje ku e shpalli fitoren, në koalicion me Listën Guxo dhe Alternativën.
Ai para simpatizantëve në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë deklaroi se procesi zgjedhor ishte demokratik e paqësor, tek ka përmendur Serbinë.
Në paraqitjen e parë tek selia qendrore e VV-së, Kurti tha se fitorja është një konfirmim “për qeverisjen mirë, të mbarë e demokratike”.
“Gjithashtu koalicioni ynë fitues do ta formojë qeverinë e re Kurti 3, dhe në këtë mënyrë do t’i vazhdojmë edhe punët e nisura. Qytetarët e Kosovës e kanë dëshmuar rezistencën e tyre kundër një lufte të paparë hibride që është bërë kundër koalicionit tonë. Ka pasur premtime edhe irracionale. Përkundër kësaj LVV fitoi dhe ne jemi subjekti fitues që do ta formojë qeverinë e ardhshme”, ka thënë ai.
PDK: Sukses i pamohueshëm me mbi 200 mijë vota
E kënaqur me rritjen në këto zgjedhje është shfaqur Partia Demokratike e Kosovës. Zëdhënësi i fushatës së PDK-së, Blerand Stavileci, ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve kanë treguar se shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën qeverisë Kurti dhe po kërkojnë ekzekutiv të ri. Ai e ka konsideruar sukses të pamohueshëm rezultatin e PDK-së si forcë e dytë më e madhe në vend.
“Jemi në situatë të pazakontë, ku ne si parti duhet t’i kallëzojmë votat, dhe jo KQZ-ja. PDK-ja ka arritur rezultat të madh, është konfirmuar si forca e dytë më e madhe në vend me mbi 200 mijë vota. Falënderojmë qytetarët që votuan për PDK-në. Ky është sukses i pamohueshëm për ne dhe mesazh i fortë për ne. Shumica e qytetarëve ia kanë kthyer shpinën kësaj qeverie, pasi nuk e kanë shumicën. Rezultatet tregojnë se qytetarët kërkojnë qeveri të re”, ka thënë Stavileci.
Sa i përket koalicioneve, Stavileci ka thënë se duhet pritur në finalizimin e rezultateve.
“Ditëve në vijim me finalizimin e rezultateve, kryetari i PDK-së dhe kandidati i PDK-së do të dalin me qëndrime se si do të vazhdohet më tutje”, ka shtuar ai.
Abdixhiku: Rritje e theksuar ndonëse jo e kënaqshme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me gjithë rritjen krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve tha se nuk është rezultat i kënaqshëm. Ai shtoi se përgjegjësinë për rezultatin e zgjedhjeve e merr vetë, ndërsa llogari do t’i japë vetëm LDK-së dhe votuesve të saj.
Në konferencë për media të dielën vonë, Abdixhiku i ka bërë të ditura edhe rezultatet preliminare dhe i ka uruar të gjitha partitë për procesin zgjedhor.

“Po e bëjmë punën që duhet ta kryejë KQZ-ja. Sipas numërimit që janë marrë nga komisionarët dhe vëzhguesit e LDK-së, LDK-ja ka marrë 158.954 vota apo 18.1 për qind, LVV-ja ka marrë 347.543 vota ose 39.8 për qind, PDK-ja ka marrë 190.363 vota apo 21.8 për qind, AAK-Nisma ka marrë 66.635 vota apo 7.6 për qind”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Ai ka shtuar se presin të kenë rreth 30-35 mijë vota nga mërgata dhe do ta çojnë rezultatin në rreth 190 mijë vota.
“Ndonëse kemi rritje të konsiderueshme, nuk është rezultat i kënaqshëm. Nëse populli s’më ka parë (si kryeministër) këtë radhë, jam i lumtur të jem pjesë e opozitës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës”, ka thënë Abdixhiku.
Haradinaj bën thirrje që qeverinë ta bëjë opozita
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se në këto zgjedhje ka fituar opozita, duke u shprehur se “pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë”.
Ai ka thënë para mediave se beson që AAK-ja ka rezultat dyshifror në këto zgjedhje parlamentare.
“Jemi të sigurt se kemi rezultat dyshifror. Besoj se këtë do ta konfirmojmë. Ajo që më gëzon është fakti se opozita i ka fituar këto zgjedhje. I uroj opozitës fitoren dhe pres me padurim të bashkëpunojmë për krijimin e qeverisë se opozitës”, ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka deklaruar se nuk bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.
E kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka shpallur fitoren në Malishevë.
Në një postim në Facebook, Limaj ka shkruar se në vendlindjen e tij kanë fituar mbi 40 për qind të votave.
“Urime Malishevë për fitoren e madhe me mbi 40% të votave, në bazë të rezultateve fillestare. Jam krenar me vendlindjen time, me bashkëvendësit e mi, që sot e dëshmuan edhe njëherë se janë shembull i një qytetarie që nuk mashtrohet, por, përkundrazi u japin mbështetje njerëzve që punojnë e bëjnë vepra të mira për Malishevën e tërë Kosovën. Ne fituam bindshëm në Malishevë, sepse Malisheva qeveriset nga NISMA Socialdemokrate”, ka shkruar Limaj.
Në këto zgjedhje, Nisma garoi në koalicion me AAK-në.
Dalja në zgjedhje 40.59 për qind, qytetarët presin zhvillim e mirëqenie
Sa i përket pjesëmarrjes së qytetarëve në votime ajo ishte 40.59 për qind, nga 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë me të drejtë vote, këtë të drejtë e shfrytëzuan 799 mijë e 954 qytetarë. Daljen më të madhe e regjistroi Prishtina me 55.68 për qind të pjesëmarrjes. Nga 212 mijë e 515 qytetarë me të drejtë vote, kanë votuar 118 mijë e 321. Sipas shifrave të KQZ-së, dalja më e ulët ishte në Mitrovicën e Veriut me vetëm 5.30 për qind./Katror.info