Prishtina do të jetë nikoqire e kampionatit evropian E-sports nga data 7 deri më 14 korrik të këtij viti, ka bërë të ditur ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku, në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
“Do të kemi qindra garues të këtij sporti nga gjithë Evropa në Prishtinë”, tha ministri Çeku, duke bërë të ditur se për këtë ngjarje tashmë është nënshkruar edhe një marrëveshje tripalëshe mes Federatës Ndërkombëtare, Federatës Evropiane dhe Federatës Kosovare të E-sports.
Në të njëjtën konferencë, Çeku informoi edhe për ecurinë e përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”. Ai theksoi se është finalizuar një marrëveshje për asistencë me Bankën Evropiane për Investime për hartimin e projektit për rivitalizimin e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve.
“Kjo hap rrugën për kredinë ndërkombëtare për zbatimin e punimeve në vitet në vijim, në mënyrë që Pallati të jetë gati për Lojërat Mesdhetare në vitin 2030”, theksoi Çeku.
Organizimi i këtyre dy ngjarjeve sportive pritet të sjellë jo vetëm promovim ndërkombëtar për Prishtinën, por edhe zhvillim të mëtejmë të infrastrukturës dhe kapaciteteve sportive në vend./Katror.info