Nga redaksitë prestigjioze të Gjermanisë deri te projektet filmike të vlerësuara ndërkombëtarisht, Vjosa Çerkini është bërë një nga emrat më të njohur të gazetarisë kosovare në arenën globale.
Për Vjosën, gazetaria shkon përtej asaj që shihet apo raportohet. Si gazetare mundohet të thyejë stereotipet e botës perëndimore për Ballkanin, duke raportuar për mediat gjermane nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe gjithë Ballkani, – shkruan Katror.info.
“Gjithmonë më ka interesu m’i kuptu storiet dhe historitë e njerëzve, pse po ndodhin gjana të caktume, edhe gjithmonë me ditë më shumë. Kuriozitetin e kam pasë gjithmonë pjesë të karakterit edhe mandej me kohë e di që më ka pëlqy muzika shumë, edhe më ka pëlqy me shkru, mandej t’u i pa gazetarët e tjerë më ka pëlqy edhe me ba intervista, me tregu storie” – tha ajo.
“Pa marrë parasysh çfarë situate ka qenë, gjithmonë kam dashtë me ditë më shumë dhe kjo është arsyeja pse kam vendosë mandej edhe me studiu gazetarinë, po edhe me e pasë një profesion kryesor ndoshta për veten edhe prej asaj kohe, tash veç se punoj dhe e kam realizu ëndrrën tem” – shtoi Vjosa.

Vjosa nisi karrierën në gazetari në moshën 20-vjeçare, menjëherë pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Gazetarisë në Prishtinë.
Që në hapat e parë, çdo temë që trajtonte mundohej ta shihte me dimension ndërkombëtar, për një audiencë që shkonte përtej kufijve të Kosovës.
“Eksperienca e parë e punës ka qenë në vitin 2015 për Bayerischer Rundfunk, është një televizion gjerman, që i përket ARD-së, televizionit publik më të madh gjerman dhe aty kam nisë fillimisht si një vajzë që është rritë një pjesë në Kosovë, një pjesë në Gjermani, është kanë e vështirë se normalisht e dinë njerëzit të cilët duan me mbërri ëndrrat e veta në shtetet e tjera, sa e vështirë është nëse je me një ‘migration background’ ose nëse je me një histori të migrimit, është goxha e vështirë me mbërri nivelin që ti do” – rrëfen ajo.
“Kam vazhdu me punu domethënë për media të ndryshme si German Press Agency, Pure Magazine, për media të tjera që janë edhe në Mynih, plot media të tjera që kanë vazhdu mandej pas ARD-së, tani Deutsche Welle tash gati që 7 vjet janë bo, edhe EMDR-i, po ashtu një kohë kam punu edhe në qeverinë gjermane, domethënë janë një mori e punëve që i kam ba jo veç në Gjermani por edhe në vendet tjera të Evropës mandej edhe në Amerikë, kjo ka ardhë krejt si rezultat i punës të pandalshme” – vazhdon gazetarja.

Pasioni për tregimin e historive të pazëshme e ka shtyrë të ndërmarrë projekte të guximshme.
“Temat sociale janë gjithmonë ato që mu më kanë interesu, po edhe investigimet për krime, për shembull e kanë determinu që mu më ka interesu me hulumtu, për shembull, çka fshihet pas krimeve të mëdha ose diçka e tillë, edhe kështu vetë eksperienca me kohë domethënë e ka bë që m’u zhvillu dhe me raportu ndoshta për krejt fushat, përfshirë edhe sportin.” Problemet që i kanë hasë njerëzit, problemet që i kam pa që ekzistojnë për shembull në krime, ose që ekzistojnë në vendet e Ballkanit Perëndimor, më kanë shty që me i njoftë mandej edhe njerëzit dhe prej historive tyre mandej me hy edhe me investigu temat detajisht, sepse unë kur e marr një temë me hulumtu e hulumtoj deri në fund edhe madje e sheh që impakti është shumë i madh edhe në vende të ndryshme, jo veç në Gjermani, po edhe në Ballkan, edhe në Evropë” – tregon ajo.
Mes të qenët në Gjermani dhe Kosovë, Vjosa e vërejti se pavarësisht dallimeve profesionale, kufizimet për të nuk ekzistojnë.
“Nuk janë rregullat e njëjta, në aspektin që edhe mënyra qysh sillen njerëzit me ty është totalisht ndryshe, edhe thjesht e kam zgjedhë tani me vazhdu rrugën në Gjermani, sepse aty kam nisë edhe mendoj që përderisa m’u ka ofru ajo mundësi është dasht me shfrytëzu edhe kapacitetin, po edhe në të njëjtën kohë mundësitë që m’u kanë ofru dhe normalisht punës që e kam bo të pandalshme dhe jam zhvillu tutje. Mendoj që nuk ekzistojnë më kufijtë që mundem me më ndalë, ndoshta me ma kufizu punën, me thënë OK, ti mundesh me raportu veç prej Kosovës, ose veç prej Ballkanit Perëndimor, ose mundesh thjesht me qenë një emër për një vend të caktum” – u shpreh Vjosa.

Ajo ndan me ne momentin e shpërthimit që e bëri të njohur në skenën ndërkombëtare, sinjalin e parë të aprovimit ku ajo kuptoi se di të rrëfejë vizualisht histori të veçanta. Ndër mirënjohjet e para i mori me dokumentarin ‘”Të punosh sot, vetëm për nesër” u shpall nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës si “Dokumentari më i mirë i vitit”.
“E para ka qenë reportazhi që e kam ba për refugjatë kosovarë, të cilët kanë shku në vitin 2015 në Mynih, edhe ka qenë një valë e madhe e njerëzve të cilët kanë shku për arsye ekonomike edhe ajo ka qenë tema e parë që e kam ba dhe kam marrë një feedback shumë të mirë prej redaktorëve në Gjermani. Një dokumentar që e kam ba në Kosovë për një temë që ka qenë për diskriminimin e grave të moshës së mesme në tregun e punës, menjëherë e kam marrë çmimin vjetor për dokumentarin më të mirë, mandej ai dokumentar është kanë i pari dokumentar gazetaresk prej Kosovës që është nominu në festivalet ndërkombëtare, si në Los Angeles për shembull, në Evropë, pastaj në një një mori festivalesh” – komentoi Çerkini.
Përtej punës në media, ajo përfaqëson për Evropë organizatën “Women Voices Now”, duke përdorur filmin si platformë për fuqizimin e grave dhe për të sjellë rrëfime të reja në hapësirën publike.
“Mandej kam fillu edhe kam ba edhe dokumentarë të tjerë, kam fillu edhe me reprezentu edhe ‘Women’s Voice’s Now’ që është një rrjet i filmmakers ose i regjisorëve në Amerikë dhe mandej qysh prej një viti e gjysmë tash veçse jam edhe përfaqësuese e tyre për Evropë ku kam fillu edhe me ofru falas workshops edhe mentorshipe për vajzat në krejt botën, të cilat nuk e kanë mundësinë në aspektin financiar me prodhu një film. Kështu që jam t’u e ba atë punë në vende të ndryshme në Afrikë, në vende të ndryshme në Evropë, po në të njëjtën kohë edhe në Amerikë, meqenëse e kemi edhe Akademinë e Filmit dhe punojmë me njerëz të ndryshëm edhe prej Hollivudit dhe po po besoj që jemi tu u zhvillu çdoherë e më shumë” – tregoi ajo.

“Tash jemi një ekip shumë i mirë që jemi atë punu globalisht dhe kemi arritë me ba një rrjet të vajzave shumë të mira, të cilat janë tu i prodhu edhe filmat e tyre të parë dokumentarë dhe e kanë moshën veç dymbëdhjetë, trembëdhjetë vjet, nëpër vende të ndryshme dhe kjo më bën njeriun ma të lumtur” – vazhdoi ajo.
Eksperiencën e saj shumëvjeçare si gazetare e gërshetoi bashkë me krejt njohuritë e prodhimit të dokumentareve, në shërbim të të rinjve entuziastë për krijimtari.
“Nëse ke sadopak hapësirë, mundesh me ba një punë globale edhe pa ndonjë buxhet të madh, po thjesht domethënë me donacionet e tua dhe t’u dhonë zemrën për ata njerëz. Fokusi është programi që e përfaqësoj, domethënë programet që i përfaqësoj prej Amerikës janë me fokus për fuqizimin e vajzave dhe edukimin e tyre, se edukimi është çelësi kryesor për zhvillimin e tyre edhe në aspektin intelektual, e gjithmonë mundohna që dije me shpërnda më shumë, domethënë nuk është me rëndësi paret, me rëndësi është që ato me u eduku. Çikat, po edhe të rinjtë në aspektin edukativ, të paktën në CV-të e tyre çikat e kanë një dokumentar që është reprezentu në Amerikë ose nëpër botë, me një storie prej vendit ku ato jetojnë” – tha ajo.
Vjosa çdoherë është në lëvizje – ndjek zërat që presin të dëgjohen, kap historitë që duhen rrëfyer dhe momentet që frymëzojnë kamerën.
“Varësisht çfarë hulumtimi bëj ose diçka e tillë, atëherë jam në lëvizje konstant, por mu më pëlqen. Tash do të jem pas dy muajve edhe në Amerikë, ku do të jem në American Flea Market, që është njëra prej eventeve më të mëdha globale ndoshta për sa i përket fushës së filmit edhe aty do të flasim edhe për punën të cilën e bëjmë, na jemi prezentë po ashtu edhe në Golden Globe Foundation ose Awards. Fokusi jem, ku jetoj unë, është në mes Kosova, patjetër është fokusi kryesor, por edhe një pjesë në Gjermani” – tha për ne në fund.
Në vitin 2023 ajo u përfshi në një histori investigative rreth mashtrimit nga Call Center që u cilësua nga Investigative Journalism Europe si 10 historitë më të mira investigative në Evropë. Ndërsa sot, Vjosa është edhe pjesë e jurive të festivaleve ndërkombëtare të filmit.
Ajo vazhdon të sfidojë barrierat e gazetarisë dhe filmbërjes, duke marrë çmime ndërkombëtare dhe duke treguar histori që ndikojnë dhe frymëzojnë./Katror.info.