Drejtori artistik i festivalit “Vnesht Festival”, pianisti dhe kompozitori i njohur Robert Bisha, ka ndarë sot në programin e mëngjesit në RTK detaje të veçanta për edicionin e sivjetshëm të festivalit, që do të mbahet këtë të shtunë, më 19 prill, në një nga pikat më të larta të vreshtave të Rahovecit, përcjell Katror.info.
Bisha përshkroi vendin ku do të zhvillohet festivali si një hapësirë magjepsëse që ofron një pamje panoramike unike, duke përfshirë male përreth, qytetin e Gjakovës dhe natyrën përreth që, sipas tij, do të frymëzojë çdo artist që performon.
“Është një vend fantastik ku do të mbahet festivali. Është pika më e lartë e vreshtave dhe, kur je atje lart, mund të shohësh male që e rrethojnë zonën, Gjakovën dhe shumëçka tjetër. Kjo besoj se do të jetë inspiruese për artistin që do të performojnë,” u shpreh Bisha.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e ambientit në ndërtimin e skenës, duke theksuar përpjekjen për të ruajtur autenticitetin natyror dhe për t’i ofruar publikut një përvojë sa më të ngrohtë dhe të afërt.
“Skenën jemi munduar ta lëmë sa më natyrale, në mënyrë që kushdo që vjen të ndjehet i hedhur në skenë direkt. Është një ambient pothuajse familjar, me disa tavolina të ndryshme, me pozita të ndryshme: si për ata që duan të qëndrojnë pak më vetëm dhe ta shijojnë muzikën, ashtu edhe për ata që duan të vijnë në grup,” shtoi ai, duke nënvizuar edhe sfidën për të siguruar një piano të përshtatshme për performancat në natyrë.
“Vnesht Festival” është një ngjarje kulturore njëditore që do të nisë në ora 17:00 dhe do të zgjasë për dy orë, duke premtuar një mbrëmje të mbushur me muzikë dhe përjetime artistike në një ambient të rrallë mes natyrës dhe vreshtave të Rahovecit./Katror.info