Artisti i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) të Shqipërisë. Xhieldo Hyseni, i cili është vetëm 27 vjeçar, po korr suksese të njëpasnjëshme në skenën e operas e baletit në atë ndërkombëtare e veçanërisht atë italiane.
Këngëtari i suksesshëm së fundi është shpallur fitues në konkursin prestigjioz për këngëtarët e rinj lirik “AsLiCo”, të zhvilluar nga “Teatri Social i Como-s”, në Itali.
Në finalen e 8 janarit 2023, ai arriti të rrëmbente i vetëm, mes shumë konkurrentëve, rolin e Salastros për veprën operistike të Mozart-it “Flauti magjik”, për ta interpretuat atë në teatrot e Lombardisë.
Në këtë edicionin e 74-t të këtij konkursit, Shqipëria u përfaqësua nga tre të rinjtë e TKOB-së, Rovena Xhelili, Xhieldo Hyseni dhe Bledar Domi, në bashkëpunim me Rame Lahaj International Opera Festival (RLIOF) dhe me kujdesin e veçantë të drejtorit Artistik të RLIOF-it, Ulpiana Aliaj.
Teatri i Operës dhe Baletit promovon prej vitesh talentet e artistëve të rinj, në Shqipëri dhe përtej kufijve të saj. Kjo me qëllim rritjen e cilësisë së artit dhe kulturës shqiptare.
Ndër emrat e shquar shqiptar të dalë nga ky konkurs përmendim Gezim Myshketa, Ulpiana Aliaj, Marigona Qerkezi, Enkelejda Kamani, Klodjan Kacani./Katror.info