Programi “Kosova, Shtet i Xhudos” vazhdon të shkëlqejë, duke sjellë një frymë të re në shkollat e qyteteve të Kosovës.
Pas suksesit të dëshmuar në SHFMU “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë, ky program tashmë është zgjeruar edhe në SHFMU “Bedri Gjinaj”, duke angazhuar nxënësit në botën e pasur të sportit të xhudos.
Me përkushtim dhe pasion, trajneri Blenard Begu udhëheq seancat javore të xhudos, ku 240 nxënës nga 10 klasa dhe 5 paralele po mësojnë teknikat e këtij sporti, si dhe vlera jetike për zhvillimin e tyre personal.
Përtej teknikave të xhudos, nxënësit po mësojnë disiplina, respekt dhe punë ekipore – cilësi që i ndihmojnë ata të rriten si sportistë të talentuar dhe individë të përgjegjshëm. Aktivitetet janë plot energji dhe buzëqeshje, duke reflektuar ndikimin pozitiv që ky program ka në përditshmërinë e tyre.
Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, “Kosova, Shtet i Xhudos” po i fuqizon të rinjtë përmes një platforme që promovon jo vetëm zhvillimin fizik, por edhe atë moral dhe social./Katror.info