Klubi i Barcelonës ka vendosur t’ia japë fanellën me numrin 10 – simbol i madhështisë në klub – yllit të ri të dalë nga akademia “La Masia”, Lamine Yamal.
Futbollisti 18-vjeçar prezantoi zyrtarisht fanellën në stadiumin “Spotify Camp Nou”, duke shprehur përkushtimin për të ndjekur rrugën e vet, larg krahasimeve me Lionel Messin. “Ai ka pasur rrugën e tij, unë do të ndërtoj timen. Do të punoj pa u ndalur për të kënaqur tifozët tanë”, deklaroi Yamal para mediave.
Yamal ishte pjesë kyçe në sukseset e sezonit të kaluar, ku Barcelona fitoi tre trofe brenda Spanjës. Ai ka kontratë me klubin deri në vitin 2031 dhe konsiderohet ndër lojtarët më të vlerësuar financiarisht në skuadër.
Në vitin 2023, ai debutoi në ekipin e parë në moshën 15-vjeçare. Deri më tani ka luajtur mbi 100 ndeshje dhe ka shënuar 25 gola për katalanasit. “Barça ka qenë gjithmonë ëndrra ime – jam rritur këtu që nga mosha shtatë vjeç”, u shpreh ai.
Përpara Yamalit, numri 10 ishte mbajtur nga Ansu Fati, i cili për shkak të lëndimeve nuk arriti të përmbushë pritshmëritë dhe aktualisht është i huazuar te Monaco.
Historikisht, ky numër është veshur nga legjenda të mëdha si Diego Maradona, Ronaldinho dhe Rivaldo. “Është një përgjegjësi e madhe. Shpresoj të jem në lartësinë e trashëgimisë që kanë lënë ata,” tha Yamal./Katror.info