Festivali i shumëpritur ZA Fest rikthehet në Shkodër në edicionin e tij të nëntë, duke sjellë emocione të reja artistike në datat 24, 25 dhe 26 korrik 2025.
Për tri netë me radhë, atmosfera unike e Kalasë së Rozafës do të marrë jetë nga muzika dhe performancat që ndërthurin modernitetin me frymën tradicionale shqiptare, raporton Katror.info.
Në mesin e artistëve që do të performojnë këtë vit janë emra të njohur si: Armend Rexhepagiqi, Rednex, MC Kresha & Lyrical Son, Casadilego, Petrit Çarkaxhiu, Arbër Agalliu, Lorik Cana dhe Rafael Hoxhaj.
ZA Fest është themeluar nga artisti Vlashent Sata dhe tashmë është kthyer në një ngjarje kulturore të përvitshme, që nderon trashëgiminë artistike shqiptare dhe e sjell atë në një formë bashkëkohore për audiencën e sotme.
Skenat e festivalit janë të vendosura në vende ikonike të Shkodrës – Kalaja e Rozafës, shtëpitë muze, si dhe në natyrën mahnitëse të Luginës së Thethit, duke i dhënë çdo performance një karakter të veçantë dhe autentik./Katror.info