Në kalanë e Kastërcit në Suharekë janë bërë zbulime të rëndësishme arkeologjike që ndriçojnë historinë e hershme të krishterimit në këtë trevë. Gjatë gërmimeve të fundit, të cilat po zhvillohen nga Instituti Arkeologjik i Kosovës nën drejtimin e arkeologut Berat Ademi, është dokumentuar plotësisht bazilika paleokristiane e ndërtuar në fillim të shekullit VI.
Fragmentet e qeramikës, xhamit, afreskave dhe tjegullave me mbishkrim të gjetura në këtë lokalitet konfirmojnë rëndësinë e saj historike dhe kulturore. Pas shkatërrimit nga dyndjet sllave, bazilika u shndërrua në hapësirë varrimi, ku deri më tani janë identifikuar rreth 80 varre.
Përveç gërmimeve, në kompleksin e objekteve po kryhen edhe punime konservuese e restauruese, me qëllim të mbrojtjes së kësaj trashëgimie të rrallë dhe shndërrimit të saj në atraksion për turizmin kulturor.
Ky projekt i rëndësishëm po ndihmon jo vetëm në ruajtjen e historisë, por edhe në krijimin e mundësive të reja zhvillimore për komunën e Suharekës dhe më gjerë./Katror.info