Komuna e Prishtinës ka njoftuar për zgjerimin e dy linjave kyçe të transportit publik, si pjesë e zbatimit të Reformës së Transportit Publik në kryeqytet, shkruan Katror.info,
Kjo ndërhyrje synon të përmirësojë qasjen në shërbime për banorët e lagjeve periferike dhe të nxisë një sistem më efikas dhe të qëndrueshëm të lëvizjes urbane.
Sipas njoftimit zyrtar, linja Nr. 3A, e cila aktualisht lidh Rrugën “27 Nëntori”, Lagjen e Spitalit dhe Matin, është zgjatur deri në Rrugën “Lugmiri”, duke përfshirë kështu një segment më të gjerë të qytetit në itinerarin e saj.
Ndërkohë, linja Nr. 11, që lidh Prishtinën me Barilevën, është zgjatur deri në kryqëzimin me Rrugën “Dul Dragusha”, duke rritur kështu qasjen për banorët e kësaj zone rurale dhe rritur mundësitë e lidhjes me qendrën e qytetit.
“Ky është një hap i parë drejt një transformimi më të thellë, për ta bërë Prishtinën një qytet më të ndërlidhur, më të gjelbër dhe më të qasshëm për të gjithë,” thuhet në njoftimin zyrtar.
Zbatimi i kësaj mase është nën menaxhimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe, sipas Komunës, ka hyrë në fuqi menjëherë.
Zgjerimi i linjave pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve, të ulë varësinë nga automjetet private dhe të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe jetesës në Prishtinë. /Katror.info
Përgatiti:
