Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka reaguar sot pas një aksioni të zhvilluar në objektin e ZRrE-së nga aktivistët e grupit “asnjë cent më shumë”, të cilët ishin mobilizuar për të kundërshtuara paralajmërimet për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Në reagimin e tyre, ZRrE thekson se është e vetëdijshme për shqetësimet e qytetarëve lidhur me procesin e tanishëm tarifor, të shprehura sot përmes protestës pranë zyrave të ZRRE-së.
“ZRRE respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës.
ZRRE në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi.
Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave të ZRRE, konform mandatit te saj”, thuhet në reagim.
Ndryshe, aktivistët e grupit “Asnjë cent më shumë” janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, gjatë një aksioni që zhvilluan para objektit të ZRRE-së.
Pas arrestimit të tyre, ky grup ka reaguar duke thënë se shteti është në shërbim të KEDS.
Në një reagim për media “Asnjë cent më shumë” thekson se policia arrestoi brutalisht 12 qytetarë. /Katror.info