E përditësuar 10:47:
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mirëpritur sot në Tiranë liderët evropianë në kuadër të takimit të Komunitetit Politik Evropian, që këtë vit po zhvillohet në kryeqytetin shqiptar. Ceremonia e pritjes është mbajtur nën reshje shiu, ku Rama, me një çadër në dorë, priti mysafirët në tapetin e kuq, ndërsa në sfond dëgjohej kënga “Zjerm” nga Shkodra Elektronike, përfaqësuesja e Shqipërisë në Eurovisionin e këtij viti.
Deri tani, në Tiranë kanë mbërritur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, ndërsa pritet pjesëmarrja e dhjetëra liderëve evropianë.
Takimi zhvillohet nën moton “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët” dhe nis me një seancë plenare ku do të diskutohen çështje kyçe që lidhen me sigurinë dhe të ardhmen e përbashkët të kontinentit.
Agjenda përfshin tri tryeza të nivelit të lartë që do të trajtojnë temat e sigurisë dhe qëndrueshmërisë demokratike në Evropë, përfshirë agresionin e Rusisë në Ukrainë, konkurrencën dhe sigurinë ekonomike, sfidat e lëvizshmërisë si dhe fuqizimin e të rinjve.
Bashkëkryesues të takimit janë Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ky forum konsiderohet një mundësi e rëndësishme për forcimin e dialogut politik dhe strategjik midis vendeve evropiane në një kohë sfidash të shumta për kontinentin.
***
Tirana bën bashkë liderët evropianë për samitin e Komunitetit Politik Evropian
Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane do të mblidhen të premten për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës. Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në samit, i cili mbahet nën moton: “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.
Samiti, ku gjithashtu marrin pjesë liderët e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, zhvillohet në një kohë kur Ukraina dhe Rusia pritet të mbajnë bisedimet e para për paqe që nga ditët e para të konfliktit.
Tema të tjera që pritet të diskutohen në këtë samit, përfshijnë sigurinë, demokracinë dhe emigracionin.
Kosovën në këtë samit e përfaqëson presidentja Vjosa Osmani. Artikulli i plotë i REL këtu./REL