Shkolla Verore e organizuar nga Save the Children Kosova/o, në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze në Prishtinë, KEPA, EcoZ dhe Fondacionin Utalaya, mblodhi 43 të rinj nga e gjithë Kosova për t’i fuqizuar si liderë në mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e qëndrueshmërisë në komunitetet e tyre, shkruan Katror.info.
Përgjatë ditëve të shkollës verore, të rinjtë patën mundësi të dëgjojnë mesazhe frymëzuese nga përfaqësues institucionalë dhe ekspertë të fushës, duke përfshirë edhe Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Në qendër të diskutimeve ishin çështje kyçe si ruajtja e parqeve natyrore, biodiversitetit dhe mbrojtja e ekosistemeve në vend.
Nëpërmjet punëtorive praktike, pjesëmarrësit analizuan problemet mjedisore që prekin komunitetet e tyre, si ndotja, mungesa e gjelbërimit urban apo menaxhimi i mbeturinave, dhe propozuan zgjidhje kreative për to. Shkolla synoi t’u ofrojë të rinjve jo vetëm njohuri, por edhe mjete konkrete dhe vetëbesim për të ndërmarrë veprime në nivel lokal.
Kjo iniciativë u financua nga Sida përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë dhe është pjesë e projektit më të gjerë për përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara përmes përfshirjes sociale të avancuar në Kosovë.
Të rinjtë pjesëmarrës dëshmuan edhe një herë se janë forca më e fuqishme e ndryshimit – të gatshëm për të ndërtuar një të ardhme më të pastër, më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën./Katror.info