Kombëtarja e Kosovës U17 në konkurrencën e vajzave ka nisur në mënyrën më të mirë fushatën kualifikuese për Kampionatin Evropian 2026, duke triumfuar ndaj Moldavisë me rezultatin minimal 1:0.
Ndeshja u zhvillua në kuadër të Grupit B të Ligës B, që po mbahet në Moldavi. Vashat dardane, të drejtuara nga përzgjedhësja Sanije Krasniqi, dominuan në të gjitha aspektet e lojës, krijuan shumë raste shënimi dhe dy herë goditën shtyllën e portës kundërshtare, por efikasiteti në finalizim mungoi.
Goli i fitores erdhi në minutën e 75-të, kur Jonida Godeni shënoi me një gjuajtje të lirë të bukur, duke vulosur triumfin e merituar të Kosovës.
Pas ndeshjes, përzgjedhësja Krasniqi u shpreh e kënaqur me paraqitjen e vajzave dhe përkushtimin e tyre:
“Si gjithmonë, ndeshja e parë kualifikuese është e vështirë. Kemi treguar lojë të mirë, kemi qarkulluar topin me durim dhe kemi krijuar shumë raste, dy herë qëlluam shtyllën. Goli erdhi nga ndërprerja dhe pa dyshim jam e kënaqur me fitoren dhe përkushtimin e vajzave. Shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në dy ndeshjet e ardhshme. Sfida jonë kryesore është fusha me bari natyral, pasi shumica e lojtareve tona janë mësuar me bari artificial, çka ndikon në qarkullimin e topit dhe aspektin fizik të tyre.”
Ndeshjen e radhës, Kosova U17 do ta zhvillojë kundër Azerbajxhanit më 27 tetor, ndërsa ciklin e ndeshjeve në grup do ta mbyllë më 30 tetor ndaj Uellsit, që konsiderohet si kundërshtari më i fortë i grupit./Katror.info









