Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Bebe Rexha, pasi publikoi këngën e re me titull, “Heart Wants What It Wants” , tani duket se dëshiron ta fillojë turneun e saj të radhës.
Ylli i muzikës pop, përmes një postimi në Instagram paralajmëroi fansat se pak para fillimit të verës do t’i realizojë 20 koncerte nëpër qytete të ndryshme të Amerikës Veriore si, Toronto, Chicago, Philadelphia, Orlando, San Diego dhe të tjerë.
Turneu do të filloi më 31 maj në Phoenix të Arizonas, kurse përfundon me 30 qershor në Los Angeles të Californias.
Rexha ka disa muaj që e paralajmëron një epokë të re muzikore në karrierën e saj, e cila filloi me këngën e lansuar të premten e kaluar, “Heart Wants What It Wants”. Videoklipi e sjell këngëtaren të shndërruar në një figurë seksi të viteve ’70.
“Ne e kemi bërë një zhytje të thellë në vitet ‘70, por gjithashtu do të sjellim tingujt të muzikës disko dhe të gjitha gjërat tona të preferuara”, tregoi këngëtarja në një intervistë të fundit.
Ajo po ashtu i paralajmëroi bashkëpunimet me dy yje të muzikës, Dolly Parton dhe Snoop Dog./Katror.info