Ekspertët besojnë se noti mund të japë një nxitje unike për shëndetin e trurit. Ushtrimet aerobike kanë treguar rezultat në ngadalësimin e plakjes. Një numër në rritje i kërkimeve sugjeron se noti në veçanti prodhon efekte që përmirësojnë funksionin e trurit.
Pas disa studimeve është kuptuar se noti i rregullt përmirëson kujtesën, funksionin kognitiv, reagimin imunitar dhe humorin. Noti mund të ndihmojë gjithashtu në riparimin e dëmtimeve të shkaktuara nga stresi dhe krijimin e lidhjeve të reja të neuroneve në tru.
Deri në vitet 1960, shkencëtarët besonin se numri i neuroneve dhe lidhjeve sinaptike në trurin e njeriut ishte i kufizuar dhe se, pasi të dëmtoheshin, këto qeliza të trurit nuk mund të zëvendësoheshin. Por kjo ide u braktis kur studiuesit panë prova të bollshme të formimit të neuroneve në trurin e njerëzve të rritur dhe kafshëve të tjera.
Noti ka qenë prej kohësh i njohur për përfitimet e tij kardiovaskulare. Meqenëse ky sport përfshin të gjitha grupet kryesore të muskujve, zemra duhet të punojë shumë, gjë që rrit rrjedhjen e gjakut në të gjithë trupin. Rritja e fluksit të gjakut gjithashtu çon në një çlirim të madh të endorfinës, hormone që veprojnë si qetësues natyral të dhimbjes në të gjithë trupin.