Janari nuk është larg! E as mundësitë për të rinjtë që të eksplorojnë Evropën pa menduar se si të udhëtojnë, e as pa shpenzuar qindra euro për viza.
Që mundësitë për studentët kosovarë pas liberalizimit të vizave janë të shumta, u tha në diskutimin e organizuar nga Europe House në Prishtinë.
“Është lajm i mirë, sepse do të jetë një mundësi për t’u afruar me njëri-tjetrin. Ju do të na njihni më mirë dhe po ashtu edhe ne juve. Do të keni mundësi që të udhëtoni, të shkoni në vende të ndryshme, të kuptoni historinë. Normalisht që liberalizimi nuk është edhe lëvizje e lirë e popujve, kur edhe mund të punojnë, por ne jemi në atë drejtim,” tha zëvendëshefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Eva Palatova para studentëve kosovarë në diskutimin që u mbajt në Fakultetin e Arkitekturës në Prishtinë.

AnnaCarin Platon, shefe e sektorit politik në Zyrën e BE-së në Kosovë mendon se pas janarit do të hapen mundësi të shumta, nga të cilat nuk do të përfitojnë vetëm kosovarët, por edhe vetë evropianët.
“Mendoj se për BE-në të rëndësishme janë shanset se do të jemi një hap më afër integrimit, kjo nënkupton shanset e shkëmbimit të përvojave, të njohim njëri-tjetrin më mirë, por edhe shanset për kompanitë evropiane, që duan të angazhojnë kompani nga Kosova për të kryer shërbime, furnizime. Është më e lehtë sepse thjesht mund t’i ftojnë të punësuarit ose kompanitë që punojnë për ta për trajnime, takime, etj. E njëjta vlen edhe për institucionet kulturore. Siç e dini BE ka thënë se Ballkani e ka vendin në Evropë dhe ky është një hap më afër,“ thotë Platon.

Shumë peripeci ka kaluar kur ishte student për të marrë vizën e parë Schengen në vitin 2003. Ndërsa sfidat për t’u shkolluar apo për të marrë pjesë në takime, konferenca të ndryshme në vendet e BE-së i kishte të mëdha. Fatmir Curri nga zyra e Kryeministrit të Kosovës iu shpjegon studentëve se të gjitha këto pengesa shemben më 1 janar.

“Ju keni me pasë mundësi me i vizitu universitetet, me apliku nëpër konferenca të ndryshme, sepse ne shpesh herë kemi humbur mundësitë për shkak të burokracive. Ju duheni maksimumin me e shfrytezu, me u ballafaqu me studentët e universiteteve tjera dhe me e pa potencialin tuaj maksimal që e keni si rinj,” tha Curri.
Ndërsa, Christian Böttcher – shef për kulturë, media dhe komunikim në Ambasadën gjermane në Kosovë, e sheh si shumë të dobishëm afrimin e diasporës kosovare në Gjermani me vendlindjen.

“Për ne është fundi i një epoke, e cila u stërzgjat dhe është shumë e merituar. Një gjë që është shumë unike, është se seksioni i vizave ne ambasadën gjermane është më i madhi në tërë botën. Dhe kjo është një dëshmi e madhe për interesin e madh që kanë kosovarët për të udhëtuar sepse ekziston një lidhje e fuqishme mes shoqërive tona. Diaspora kosovare që e kemi ne Gjermani është më e madhja në botë, më shumë se gjysmë milioni kanë pasaportë kosovare ose prejardhje nga Kosova. Dhe kjo diasporë është pjesë e identitetit kosovar andaj liberalizimi i vizave për ne nënkupton afrimin e njerëzve tanë me shtëpinë e tyre,” tha Bottcher, duke shtuar se ambasadori gjerman Jorn Rohde, do shënojë në mënyrë simbolike dhënien e fundit të vizës Schengen në javën e ardhshme.
Amina Kaja, ambasadorja e re evropiane, që është studente e mjekësisë, do ta shfrytëzojë lëvizjen e lirë për përfaqësimin e Kosovës në kongrese e konferenca për të paraqitur projekte innovative.

“Është një hap shumë i madh për neve, që për tjerët mundet me u duk shumë i vogël, për me përfaqësu Kosovën, me dalë para kolegëve, aktivistëve dhe me thonë unë jam prej Kosovës. Liberalizimi i vizave është vetëm një tullë më shumë në mur, që na çimenton neve, na përforcon si një shtet i Evropës dhe një shtet i rajonit,” tha Kaja.
Studenti i arkitekturës, dhe një nga fituesit e çmimit global Inspireli, Elton Bajramaj, mendon se për arkitektët e ardhshëm kjo është një mundesi e artë.

“Për studentët e arkitekturës është shumë e levërdishme me pa qat djepin ku kanë lindur ato stile, ata njerëz aq të mëdhenj. Kosova ka aq shumë të rinj që kanë shumë për të dhënë, dijetarë shumë të mëdhenj sa që kur të shkosh me një vend tjetër nuk ke nevojë me u ndi inferior, ” tha Bajramaj.
Studentët janë njoftuar për mundësitë se si mund të aplikojnë për viza të studentëve, ndërkohë që janë përsëritur procedurat e qëndrimit të kosovarëve në BE pas 1 janarit.
Vendimi për liberalizim vizash hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024 – prej kur qytetarët e Kosovës që posedojnë pasaporta biometrike të lëshuara nga shteti i Kosovës, do të mund të udhëtojnë pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane./Katror.info
Përgatiti:
