Përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale (AI) për të kërkuar këshilla mjekësore mund të jetë “i rrezikshëm”, zbulon një studim i ri.
Hulumtimi ka gjetur se përdorimi i AI-së për të marrë vendime mjekësore paraqet rreziqe për pacientët, për shkak të “tendencës për të dhënë informacion të pasaktë dhe të papërshtatshëm”.
Studimi u udhëhoq nga kërkues të Oxford Internet Institute dhe Nuffield Department of Primary Care Health Sciences në Universitetin e Oksfordit, shkruan BBC, transmeton Katror.info.
Dr. Rebecca Payne, bashkëautore e studimit, tha se “pavarësisht gjithë bujës, AI nuk është gati të marrë rolin e mjekut”.
“Pacientët duhet të jenë të vetëdijshëm se pyetja e një modeli gjuhësor të madh për simptomat e tyre mund të jetë e rrezikshme, duke dhënë diagnoza të gabuara dhe duke mos njohur kur është e nevojshme ndihma urgjente,” shtoi Dr. Payne, e cila është edhe mjeke familjare.
Në studim, kërkuesit kërkuan nga pothuajse 1,300 pjesëmarrës të identifikonin sëmundje të mundshme dhe një rrugë të rekomanduar veprimi përmes skenarëve të ndryshëm.
Disa pjesëmarrës përdorën softuerë AI me modele të mëdha gjuhësore për të marrë një diagnozë të mundshme dhe hapat e ardhshëm, ndërsa të tjerët përdorën metoda më tradicionale – si konsultimi me mjekun.
Më pas, kërkuesit vlerësuan rezultatet dhe gjetën se AI shpesh jepte një “përzierje informacioni të mirë dhe të keq” që përdoruesit e kishin të vështirë ta dallonin.
Ata konstatuan se, megjithëse chatbot-et e AI-së tani “shkëlqejnë në teste standarde të njohurive mjekësore”, përdorimi i tyre si mjet mjekësor do të “paraçonte rreziqe për përdoruesit realë që kërkojnë ndihmë për simptomat e tyre”.
“Këto gjetje nënvizojnë vështirësinë e ndërtimit të sistemeve AI që mund të mbështesin njerëzit në fusha delikate dhe me rrezik të lartë, si shëndeti,” tha Dr. Payne.
Autori kryesor i studimit, Andrew Bean nga Oxford Internet Institute, theksoi se studimi tregon se “ndërveprimi me njerëz paraqet një sfidë” edhe për modelet më të avancuara të AI-së.
“Shpresojmë që ky punim të kontribuojë në zhvillimin e sistemeve AI më të sigurta dhe më të dobishme,” shtoi ai.
Burimi: BBC
Përktheu dhe përshtati: Katror.info















