Ndiheni nervoz pas vetëm një filxhani kafeje? Ndoshta trupi juaj po tregon shenjat e plakjes.
Kafeja, dikur një kënaqësi e përditshme, duket se bëhet armik me kalimin e moshës. Ekspertët tregojnë se toleranca ndaj kafesë ndryshon nga personi tek personi dhe varet nga gjenetika, mosha, medikamentet, hormonet dhe zakonet e jetesës.
“Kafeja që dikush e pi pa problem mund të jetë shumë stimuluese për një tjetër”, shpjegon nutricionistja Emily English.
Kafeina absorbohet shpejt dhe arrin kulmin në gjak pas 30–60 minutash. Gjysma e saj eliminohet nga trupi brenda 3–7 orëve, por kjo kohë mund të zgjasë deri në 9.5 orë për disa persona, veçanërisht me moshën. Metabolizmi ngadalësohet, enzimët e mëlçisë dobësohen dhe kafeina qëndron më gjatë, duke shkaktuar ankth, pagjumësi dhe nervozizëm.
“Ndryshimet hormonale, si gjatë peri-menopauzës, mund të bëjnë që kafeina të qëndrojë më gjatë në trup”, shton Nichola Ludlam-Raine nga British Dietetic Association.
Ekziston mënyrë për të lehtësuar efektet e saj: reduktimi i konsumit gradual, shmangia e kafesë pas orës 14:00, hidratimi dhe një mëngjes i pasur me proteina dhe fibra. Për ata që janë shumë të ndjeshëm, zgjidhje janë kafeja decaf, gjysmë-decaf ose alternativa.
Ndryshimet janë individuale dhe nuk mund të anullohen plotësisht, por me kujdes dhe zakone të shëndetshme, mund të vazhdojmë të shijojmë këtë zakon pa u ndjerë të shqetësuar. /AP/Katror.info
















