Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka parë nga afër përgatitjet e Përfaqësueses së Kosovës gjatë tre ditëve me përzgjedhësin e ri, Franco Foda.
Kryetari i FFK-së ka vlerësuar punën e trajnerit gjerman dhe stafit të tij. Ai pret që së bashku të arrijnë sukses në skenën ndërkombëtare të futbollit.
“Me stafin e ri të trajnerëve të Kombëtares për një mision të ri. Së bashku po e nisim një rrugëtim të ri, i cili besojmë se do të na çojë drejt suksesit e lavdisë në skenën ndërkombëtare të futbollit. Gjatë këtyre ditëve stafi i trajnerëve në krye me Franco Fodën kanë punuar me shumë zell dhe vendosmëri që ekipi ynë dardan ta përfaqësojë me dinjitet flamurin e Kosovës në çdo ndeshje e në çdo garë. Jam krenar që kemi një ekip kaq të talentuar dhe të përkushtuar të futbollistëve dhe jam i bindur se kjo fazë e re do të na sjellë momente të mrekullueshme dhe suksese të mëdha në rrugëtimin tonë”, ka thënë Ademi.
Foda debuton te Kosova të premten në ndeshjen miqësore kundër Armenisë. Më 26 mars, Kosova luan edhe miqësoren e dytë ndaj Hungarisë në Budapest./Katror.info