Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, ka zhvilluar një vizitë në hapësirat e Katror Media, ku është pritur nga drejtori ekzekutiv Muhamet Jashanica dhe kryeredaktorja Albana Isufi Jashanica.
Gjatë takimit u diskutua për përkushtimin e përbashkët ndaj medias së pavarur, demokracisë dhe bashkëpunimeve të ardhshme që forcojnë gazetarinë konstruktive dhe angazhimin qytetar.
Palët ndanë qëndrime të përbashkëta për rëndësinë e informimit cilësor, aktivizmit qytetar dhe bashkëpunimeve të ardhshme që promovojnë demokratizimin dhe besimin publik në media.
Aktualisht, Katror Media po e zbaton projektin “Let’s Go for Equality”, në kuadër të programit HumanRightivism, të implementuar nga Community Development Fund (CDF) me mbështetjen e Qeverisë së Suedisë. Projekti ka për qëllim të promovojë të drejtat e punëtorëve, kushtet e denja të punës dhe shëndetin mendor përmes videove, artikujve dhe infografikave që informojnë dhe ndërgjegjësojnë opinionin publik.
Takimi me ambasadorin Westerlund u vlerësua si një mundësi për të shkëmbyer përvoja dhe ide mbi rolin e mediave në forcimin e demokracisë dhe pjesëmarrjes qytetare në Kosovë.
Katror Media është mediumi i parë në gjuhën shqipe që i është përkushtuar gazetarisë konstruktive dhe lajmeve pozitive. Për më shumë se tri vjet Katror Media promovon aktivizmin qytetar duke sjellë rrëfime të aktivistëve nga e gjithë Kosova — njerëz të zakonshëm e figura publike që punojnë për të mirën e përbashkët, pa pritur që zgjidhjet të vijnë gjithmonë nga institucionet, por duke vepruar vetë për ndryshim pozitiv./Katror.info










